Proceset demokratike në Kosovë, së fundmi edhe me zgjedhjet e shkurtit janë cilësuar si më demokratiket në rajon, nga ana e ish-kryeministrit të Kosovës, Bajram Kosumi. I ftuar në edicionin e lajmeve në MCN TV, pas promovimit të librit të tij në Tiranë, Kosumi, foli edhe për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, të cilat i vlerësoi si më demokratike të mundshme.
“Unë jam i rezeveruar dhe nuk i komentoj proceset politike në Kosovë, por mund të them se në Kosovë, ka pasur zgjedhje të lira dhe demokratike që janë shembull për të mirë në rajon, Kosova ka ndërruar pushtete dhe gjithçka ka shkruar në mënyrë demokratike, sidomos ndryshimet e fundit, me fitoren e VV, që ka qenë fitore e thellë. Ndryshimi ka qenë radikal, por shumë i arrirë dhe i mirë në kuadër të rrjedhave demokratike”.
Ish-kryeministri Barjam Kosumi ka prezantuar sot në Tiranë librin e tij, “Letërsia nga burgu”, të cilën e ka shkruar si protagonist i demostratave të marsit 1981, dhe si ish-i burgosur politik në burgjet e ish-Jugosllavisë. Lidhur me këtë, ai tha se “Letërsia nga burgu” duhet të vlerësohet si gjini e re letrare nga historianët e letërsisë.
“Përmes këtij libri kam provuar të dëshmoj se ekziston një fenomen letrar, që është letërsia nga burgu, letërsi e krijuar që në burgjet shqiptare në vitet ’45, apo nga vitet ’81, për shkak të revolucionit të ndryshimeve politike në Kosovë, e cila sjell vlerat e reja për letërsinë shqiptare, që sjell tematika, ligjërim, diskurs, të ndryshme nga ligjërimi që mbizotërojnë letërsinë tjetër në Prishtinë e Tiranë. Sjell një figuracion tjetër, dhe si e tillë, ka disa karakteristika që nuk i ka letërsia shqipe dhe unë po provoj të dëshmoj që të shikohet edhe nga historianët e letërsisë shqiptare, sepse janë më shumë se 100 shqiptarë që kanë kaluar deri ne 28 vite të jetës së tyre në burg dhe kanë shkruar nga aty”.



