Një shtetas shqiptar është arrestuar nga autoritetet britanike, pasi kërkohej nga drejtësia italiane për menaxhim të mbetjeve të rrezikshme dhe falsifikim. Në pranga është vënë shtetasi Andi Vezuli, 47 vjeç, me qëllim ekstradimin e tij në Itali.
Vezuli me origjinë nga Durrësi, është marrë në mbrojtje për të kundërshtuar ekstradimin nga kompania avokatore “ORACLE SOLICITORS & CONSULTANTS LT”. Autoritetet e drejtësisë britanike, që janë duke përfaqësuar kërkesën e shtetit Italian në procesin gjyqësor të ekstradimit, nuk japin detaje të tjera se për çfarë mbetjes të rrezikshme bëhet fjalë.
Si pasojë e veprës të rëndë penale për të cilën kërkohet ekstradimi, Vezuli, do të qëndrojë në burg në pritje të vendimit të gjykatës. Autoritetet angleze zbuluan se Vezuli ishte person në kërkim nga Italia momentin kur i morën shenjat e gishtërinjve pasi e arrestuan për trafik kokaine.
Tre vite më parë mediat angleze raportuan se Andi Vezuli është dënuar me 10 vjet burg pasi tentoi të fuste në vendin ishullor plot 20 kg kokainë. Atë kohë, ai mbante me vete një kartë identiteti shqiptare dhe italiane. Ai drejtonte një kamion nga ku u zbulua kokaina. Teksa po tentonte të kalonte në portin Dover, skaneri zbuloi drogën dhe agjentët britanikë ndaluan menjëherë shqiptarin.



