
Drejtori i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku dha detaje lidhur me megaoperacionin e Policisë të koduar “Never Forget” (Kurrë mos harro).
“Janë zbardhur 6 vrasje, 3 raste të vjedhjes me dhunë, kanosjes së punonjësit të policisë si edhe zbardhjen e dy vrasjeve të kryera në tentativë. Prokuroria e Elbasanit ka lëshuar 15 urdhra ndalimi, janë ekzekutuar 12 ndërsa 3 shtetas janë shpallur në kërkim. Artan Tafani, dyshohet se ka kryer disa ngjarje kriminale, vrasje nga viti 2021-2023”, tha Rrumbullaku.
Të arrestuarit janë: Artan Tafani, Erisiana Abedini, Lulzim Spahia, Ligor Romaçka, Bujar Abedini, Bledar Berberi, Mariglen Topuzi, Enriko Xhahysa, Klea Xhafo, Idriz Manaj, Fatjon Veliu dhe Laert Haxhiu. Ndërkaq janë në kërkim janë Lorenc Lala, Firdeus Berberi dhe Kristi Bizheku. Ndërkaq ende në këto momente FNSH dhe Forcat RENEA po zhvillojnë operacione në disa qytete të vendit.
Operacioni në fjalë vjen pas pendimit të Artan Tafanit, anëtarit të bandës së Laert Haxhiu.
Dy nga vrasjet janë kryer në Athinë dhe 4 të tjera në Elbasan Korçë, Lushnje, Tepelenë.
Më konkretisht bëhet fjalë për vrasjen e biznesmenit Çajup Selimi, më 1 qershor 2021 në Tepelenë, vrasjen e Alban Semakut në Peqin, 17 tetor 2021. Po ashtu është zbardhur vrasja e Albi Bashaliut në Peqin, më 27 dhjetor 2021, vrasjen e Fridman Xhaferrajt në Korçë, 14 qershor 2021, ekezekutimin e Dikens Halilit në Athinë më 4 tetor 2021, dhe vrasjen e biznesmenit Lulzim Qorri në Athinë, më 13 dhjetor 2018.
I pyetur për vendimin e gjykatës greke për refuzimin e ekstradimit të Laert Haxhiut, Rrumbullaku u përgjigj: “Besoj se do arrijmë pavarësisht problemeve ligjore që kemi mes dy vendeve.”
Kujtojmë që Artan Tafani, anëtari i bandës së Laert Haxhiut, u arrestua pak kohë më parë pas grabitjes së 30 mijë eurove në një exchange në zonën e Astirit në Tiranë. 39-vjeçari pranoi të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë duke zbardhur 6 vrasjet e lartpërmendura.



