Amritpal Singh, një predikues separatist sikh, i cili ndodhej në arrati prej një muaj dhe që ka qenë objekt i një gjuetie intensive në Indi, është arrestuar.
Ai u vu në pranga në Moga, Punjab, tha policia e shtetit veriperëndimor indian, duke u bërë thirrje qytetarëve që të ruajnë paqen dhe harmoninë dhe të mos përhapin lajme të rreme.
Sipas mediave lokale, i arratisuri është dorëzuar në polici. Amritpal Singh, 30 vjeç, ka bërë emër në muajt e fundit duke predikuar sikizmin radikal, madje duke bërë thirrje për krijimin e një shteti sikh të quajtur Khalistan.
Udhëheqësi Sikh dhe ndjekësit e tij, të armatosur me shpata, thika dhe armë zjarri, sulmuan një stacion policie në shkurt pasi një nga njerëzit e Singh u arrestua për sulm dhe tentativë grabitje.
Në sulmin, i cili ndodhi në mes të ditës në periferi të Amritsar, qyteti që strehon tempujt më të shenjtë të Sikëve, Tempullin e Artë, disa policë u plagosën.
Amritpal Singh ishte zhdukur që më 18 mars, duke shkaktuar një gjueti të madhe për kapjen e tij.
Më shumë se 100 prej mbështetësve të tij ishin arrestuar dhe i gjithë shteti i Punjabit, i cili ka një popullsi prej 30 milionë banorësh, nga të cilët 58% janë Sikh, u privua nga aksesi në internet për disa ditë, gjë që nuk e pengoi predikuesin të tallte autoritetet në një video të postuar në rrjetet sociale në fund të marsit.
I mbërritur nga Delhi, ai e përshkroi operacionin e policisë si një “sulm ndaj komunitetit Sikh”.
Nuk kam pasur kurrë frikë se mos më arrestojnë dhe sot nuk kam frikë, morali im është i mirë. Askush nuk mund të më lëndojë. Është vullneti i Zotit.
Historia e tij ka ngjallur reagime edhe ndërkombëtare. Ndjekësit e tij kanë organizuar demonstrata mbështetjeje jashtë konsullatave indiane në Mbretërinë e Bashkuar, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.



