
Kreu i shtetit, Ilir Meta, është i gatshëm t’u hapë derën e Presidencës emigrantëve që kanë paralajmëruar një protestë në ditët e fundit të dhjetorit. Në një prononcim për mediat nga Korça, Meta tha se se të gjithë emigrantët janë të ftuar të protestojnë në oborrin e presidencës.
"Shqiptarët kanë protestuar dhe në diktaturë pavarësisht kostove të tmerrshme dhe nuk besoj se një gjë e tillë të ketë ndodhur, por edhe nëse ka ndodhur të gjithë janë të ftuar të gjithë emigrantët të protestojnë në oborrin e presidencës”, tha ai.
Deklarata e Metës vjen pak kohë pasi policia e Tiranës refuzoi lejen për zhvillimin e kësaj proteste.
Në një shkresë që mban firmën e drejtorit të policisë Tiranë, Kastriot Skënderaj, thuhet se një manifestim i tillë i kërkuar në datat 28, 29 dhe 30 dhjetor në intervale të ndryshme kohore në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" është i pamundur pasi pengon lëvizjen e mjeteve të emergjencës, qarkullimin e mjeteve të transportit publik dhe privat. Po kështu, policia paralajmëron se për veprime në kundërshtim me ligjin, organizatori dhe pjesmarrësit në tubim do të mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale.
Emigrantët që kthehen në atdhe për festat e fundvitit kanë paralajmëruar një protestë për datat 28, 29 dhe 30 dhjetor, para Kryeministrisë. Protesta është organizuar përmes rrjeteve sociale.



