Gazetarja Ola Xama, thotë se ndërtuesit me numrin e lejeve më të lartë në Tiranë funksionojnë me parapagim dhe pa kredi në banka, duke hedhur dyshime mbi origjinën e parave.
Për edicionin e lajmeve në MCN TV, ajo deklaroi se janë 107 ndërtesa mbi 8 kate, shumica prej tyre mbi 20 kate, të cilat u janë dhënë gjatë dhjetë viteve të fundit pesë grupe investitorësh në kryeqytet.
Ajo shtoi se shifra mesatare 80% bazohet te kleringu, punime me nënkontraktor që në përfundim i jep sipërfaqe dhe parapagim dhe vetëm 20% me hua bankare.
Sipas saj, nëse do të ndalet modeli i parapagimit do të ketë një treg më të kontrolluar sa i takon abuzimit dhe depërtimit të parave të pista.
Xama u shpreh se pikëpyetjet lidhen me sigurinë juridike të konsumatorit, pasi kemi të bëjmë me një realitet ku Shqipëria është kthyer në një shqetësim për pastrimin e parave, pasi janë investime që kërkojnë kapitale shumë të mëdha.
Pikëpyetja e ngritur prej saj është se nga vijnë këto kapitale, kur vetë kompanitë nuk i kanë kapitalet në bilanc për të investuar.
Në bazë të lejeve të zbardhura të KKT, janë rreth 4.8 milionë metra katrorë për ndërtesa të larta mbi 8 kate, gjatë dhjetë viteve të fundit. Sipas statistikave të INSTAT, nga 2015-2025, janë 9.9 milionë metra katrorë sipërfaqe ndërtimi. Janë 107 ndërtesa mbi 8 kate, shumica prej tyre mbi 20.
Studimi është bazuar te numri më i madh i lejeve sipas grupeve të investitorëve, pesë grupe investitorësh që kanë marrë leje në kryeqytet. Janë analizuar bilancet e secilës prej tyre për mënyrën e financimit. Shifra mesatare 80% bazohen te kleringu, punime me nënkontraktor që në përfundim i jep sipërfaqe dhe parapagim dhe vetëm 20% me hua bankare.
Ata që kanë marrë këto leje nuk i kanë të ardhurat e mjaftueshme për të ndërtuar. Çfarë ndodh nëse ikën tregu i parapagimeve? Ngelet në mes! Ky është alarm për autoritetet dhe duhet parë mënyra se si miratohen lejet. Nuk shoh tipare monopoli se janë 107 leje për të ndërtesa të larta. Që të përllogariten të gjitha duhen analizuar më vete çdo kompani.
Ndërtuesit me numrin më të madh të lejeve për godina të larta në kryeqytet, 35% përbëhen nga pesë grupe. Grupi i parë lidhet me investitorët Ilir Shtufi, Kujtim Shtufi dhe Mark Luli, të cilët në disa raste si bashkë-ortakë ose më vete, në bashkëpunim me investitorin Agim Zeqo.
Grupi i dytë i ndërtuesve që kanë marrë më shumë leje ndërtimi është ai i Dajlan Avdia dhe Glendi Abdi që kanë marrë 6 leje ndërtimi, për kulla në qendër dhe zonën e liqenit artificial, një sipërfaqe prej 114 mijë m2.
Grupi i tretë që ka marrë numrin më të madh lejeve në kryeqytet janë firmat e lidhura me kompaninë Kastrati. Janë në total katër leje ndërtimi, pa përfshirë kullën e lartë Kastrati Tower për të cilën leja nuk është zbardhur ende. Në total për grupin Kastrati janë miratuar leje për të ndërtuar një sipërfaqe prej 227 mijë m2.
Kompania e katërt që ka marrë numrin më të madh të lejeve është Armaar Group në pronësi të Armand Lilo. Kompania që zotëron këtë ndërtim, Armaar Group ka katër leje ndërtimi 385 mijë m2 në kryeqytet. Grupi kryesor, Armaar që zotëron kompanitë Ideal Construction dhe Building Construction Invest financohet me hua brenda vetë shoqërive që ka në pronësi, kurse modeli i investimit të këtyre kompanive bazohet në klering dhe parapagim.
Investitori që renditet i pesti në bazë të lejeve të dhëna është Forever Construction në pronësi të Lefter Sotës. Kompania do të ndërtojë në total 238 mijë m2. Konstatimin për nivelin e ulët që ka financuar sektori bankar tregun e ndërtimit e ka bërë dhe Banka e Shqipërisë në raportet e saj.
Pikëpyetjet lidhen me sigurinë juridike të konsumatorit, sot kemi të bëjmë me një realitet ku Shqipëria është kthyer në një shqetësim për pastrimin e parave. Këto godina kaq të larta, të cilat mund të kushtojnë dhjetëra milionë euro apo mbi 100 milionë euro, janë investime që kërkojnë kapitale shumë të mëdha.
Nga vijnë këto kapitale, kur vetë kompanitë nuk i kanë kapitalet në bilanc për të investuar. Nga analizat që kemi bërë te kompanitë, modeli i financimit është parapagim nga blerësi, nuk merret hua nga banka. Pikëpyetja që ngrihet është kush janë këta blerës. Çmimi mesatar në Tiranë është 1900 euro, por po të shkojmë në qendër, te liqeni etj., çmimi shkon deri në 4 mijë euro.



