
Nga Alex Ward
Në tre javët e fundit që pasuan vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, Turqia i ka prirë një fushate të ashpër që bën përgjegjëse Arabinë Saudite. Autoritetet turke i kanë dhënë shtypit ndërkombëtar - sigurisht me autorizimin e zyrtarëve të lartë – detaje që tregojnë makabritetin e vrasjes së Khashoggit. Presidenti turk, Erdogan, tha dy ditë më parë se një vrasje e tij është njollë në ndërgjegjen e njerëzimit.
Po pse Turqia po ushtron kaq shumë presion mbi Arabinë Saudite?
Një arsye është se vrasja ndodhi në Turqi dhe kjo e vë në siklet qeverinë e Erdoganit.
“Turqit janë të shqetësuar se sauditët vranë një person në Stamboll", thotë Aaron Stein, një ekspert i Turqisë në Këshillin Atlantik në Uashington. "Është një shkelje groteske e protokollit".
Por, më e rëndësishmja, është se Ankaraja dhe Riadi janë futur prej vitesh në një betejë për të ardhmen e rajonit, veçanërisht mbi rëndësinë e fesë dhe ndikimit perëndimor në politikën e saj.
Duke akuzuar Arabinë Saudite mbi çështjen Khashoggi – në mënyrë të veçantë Princin e Kurorës Mohammed bin Salman, ose MBS, udhëheqësi de facto i vendit – kjo i leverdis Turqisë. Ai i jep Ankarasë një përparësi momentale, por jo më pak kritike, në këtë luftë.
"Është një situatë ku ajo që është e drejtë dhe ajo që duket me përfitim përputhen", thotë Howard Eissenstat, një ekspert i Turqisë në Universitetin e Shën Lawrence.
Prishja e marrëdhënieve Ankara-Riad daton kur shpresat demokratike të nxitura nga Pranvera Arabe u shfaqën fillimisht në Egjipt.
Ankaraja mbështeti Mohamed Morsin, anëtar i grupit të Vëllazërisë Myslimane Islame, pasi fitoi zgjedhjet e qershorit të 2012 në vend, për të pasuar Hosni Mubarakun. Riadit nuk i pëlqeu rezultati i votimit, kjo sepse Arabia Saudite beson se Vëllazëria Myslimane është një kërcënim ekzistencial ndaj sundimit monarkik dhe autoritar të Riadit.
Kështu që kur ushtria e Egjiptit e largoi Morsin në korrik 2013, pak më shumë se një vit pas zgjedhjeve, Arabia Saudite e mbështeti përmbysjen. Riadi që atëherë ka mbështetur Abdel Fattah el-Sisi, gjenerali që është ende në pushtet pas një grushti të orkestruar shteti.
Kjo gjë nxiti përplasjen. "Turqia dhe Arabia Saudite tani e shohin njëri-tjetrin si udhëheqës në anët e kundërta të një debati të madh në Lindjen e Mesme për stabilitetin përballë populizmit", thotë Eissenstat, i cili ka lidhje me Projektin për Demokracinë e Lindjes së Mesme.
Në fakt, Turqia e shihte zgjedhjen e Morsit si atë që mund të ishte e ardhmja e rajonit - një zonë ku demonstratat popullore dhe politika demokratike mund të përmbysin fuqitë autoritare. Por Arabia Saudite e pa atë si një kërcënim për status quo-në, dhe prandaj mbështeti planet e ushtrisë egjiptiane për të rrëzuar nga pushteti udhëheqësin e zgjedhur me votë.
Një tjetër pikë ku nuk bien dakord Turqia dhe Arabia Saudite është ajo se sa ndikim duhet të ketë Amerika në Lindjen e Mesme. Riadi ka përqafuar aleancën me amerikanët që nga viti 1945 dhe që atëherë e ka parë Uashingtonin si një mbështetës të vendosur ekonomik dhe ushtarak. Pa Shtetet e Bashkuara, thonë ekspertët, Arabia Saudite nuk do të ishte fuqia rajonale që është sot.
Por Erdogani nga ana tjetër dëshiron që Uashingtoni të ketë më pak ndikim në Lindjen e Mesme. Megjithëse Turqia është anëtare e NATO-s, vitet e fundit ajo është afruar me kundërshtarë të SHBA-ve si Rusia, Irani dhe Venezuela. Ajo po lufton kundër kurdëve që mbështeten nga SHBA-të në Siri, sepse i sheh këto forca si zgjatim i një grupi terrorist.
Marrëdhënia SHBA-Turqi arriti pikën e vlimit këtë vit mbi arrestimin dhe burgosjen nga Ankaraja të pastorit amerikan Andrew Brunson. Autoritetet turke e mbajtën në mënyrë të paligjshme Brunsonin për dy vjet, duke pretenduar se ai ishte spiun dhe punoi me terroristët. Presidenti Donald Trump u "mori hak" me tarifat mbi Ankaranë, duke dëmtuar rëndë ekonominë e Erdoganit. Turqia përfundimisht e liroi Brunsonin këtë muaj, por marrëdhënia mbetet ende e vështirë.
Së fundi, Turqia dhe Arabia Saudite kanë qëndrime të kundërta në lidhje me bllokadën ndaj Katarit. Në vitin 2017, Riadi filloi një luftë diplomatike me vendin e vogël të Gjirit sepse ai përkrahu protestat e Pranverës Arabe dhe islamin politik dhe përdori “Al Jazeera”-n për ta bërë këtë. Kjo kërcënonte monarkinë. Ai gjithashtu nuk ndikoi që Katari të afrohej më Iranin, rivalin rajonal të Arabisë Saudite prej dekadash.
Turqia, megjithatë, e ka përkrahur Katarin përkundër izolimit. Ajo ka dërguar në Katar qindra anije dhe aeroplanë të mbushur me ushqime dhe e ka rritur praninë e saj ushtarake atje.
Pra, siç është e qartë, Turqia dhe Arabia Saudite mbeten në pozita tërësisht të kundërta. Kjo është arsyeja pse Ankaraja e përdori rastin Khashoggi për t’i dhënë formë një politike të jashtme kundrejt Arabisë Saudite që i shkon për shtat interesave të saj.
Marrë me shkurtime nga The Vox



