
Rreth 500 milion doza vaksinash Pfizer/BioNTech do të shpërndahen në 100 vende të varfëra nga SHBA. Presidenti Biden deklaroi se deri tani SHBA ka dhuruar 110 milionë doza të vaksinës.
Teksa foli nga shtëpia e bardhë, Biden deklaroi se nuk ishin duke shitur vaksina, por po i dhuronin ato, ndërsa garantoi amerikanët se do të ketë më shumë vaksina në dispozicion dhe përsëri u bëri thirrje qytetarëve të imunizohen kundër sëmundjes COVID-19.
Ndër 65 vendet që kanë marrë vaksina nga SHBA-ja deri më tani janë Afganistani, i cili ka marrë 3.3 milionë doza; Pakistani, 5.5 milionë; Uzbekistani, 3 milionë dhe Ukraina, 2 milionë doza. Nga donacionet e SHBA do të përfitojnë edhe Kosova e Bosnje e Hercegovina.
Gjatë fjalës së tij të një dite më parë nga Shtëpia e Bardhë, Biden deklaroi se kishte mbajtur premtimin e dhënë më herët për dhurimin e vaksinave për vendet më të varfëra. Shtetet e Bashkuara kanë dërguar dozat e vaksinës kryesisht përmes COVAX-it, një skemë globale e krijuar me qëllim të shpërndarjes së barabartë të vaksinave në vendet e varfra.
COVAX, i mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) dhe Aleanca Globale për Vaksinat dhe Imunizimin, thotë se ka nevojë për 2 miliardë doza deri në fund të vitit.
Pandemia ka vrarë të paktën 4.2 milionë njerëz në nivel global, përfshirë 613.679 njerëz në Shtetet e Bashkuara, më shumë se në çdo vend tjetër, e pasuar nga India me 425.000 vdekje të regjistruara, sipas të dhënave të publikuara nga Universiteti Johns Hopkins.



