
13 vende të Bashkimit Europian kanë ndërmarrë një nismë për hartimin e një drafti për hapjen e negociatave të Bashkimit Europian me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Mësohet se nisma u ndërmor nga Austria, Kroacia, Sllovakia, Estonia, Lituania, Republika Çeke, Polonia, Malta, Hungaria, Bullgaria, Italia, Sllovenia dhe Letonia.
13 shtetet po hartojnë një draft që do t’u paraqitet vendeve të tjera anëtarë të BE-së.
Drafti ka si qëllim ringjalljen e besueshmërisë së zgjerimit në Ballkanin Perëndimor, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
"Ideja është të nisë një thirrje për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut", tha për EURACTIV një diplomat, emri i të cilit nuk është bërë publik.
‘Kjo është gjithashtu një formë presioni, që do të thotë të themi se dilema e parë nëse kemi nevojë për thellimin e BE dhe zgjerimin më vonë është artificiale dhe e gabuar. Nëse të dyja proceset nuk shkojnë së bashku, BE së shpejti do të përballet me Ballkanin Perëndimor përsëri, por fatkeqësisht në një mënyrë më kërkuese dhe të dhimbshme për të dyja palët’, tha diplomati.
Ndërkaq, ky draft pritet t'i paraqitet të mërkurën ambasadorëve të BE-së në Bruksel.



