
Mbi skandalin e AKSHI-t, abuzimet me tenderët ku akuzohen si të përfshirë Mirlinda Karçanaj, Ergys Agasi, Ermal Beqiri dhe tre të tjerë, Prokuroria ka ngritur akuza për “Konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje të paligjshme të lirisë” dhe “Shkelje të barazisë në tendera apo ankande publike”, të kryera në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal.
Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, në një analizë për edicionin e lajmeve në MCN TV, e konsideron këtë një situatë shqetësuese për qeverisjen në tërësi.
Sipas tij, me këtë skandal është cenuar siguria kombëtare.
Prania e një grupi të tillë kriminal mendoj se është e mbarsur me rreziqe të tjera, të cilat janë ende në zhvillim e sipër. Nuk duhet të harrojmë atë që ka ndodhur me teknologjinë e informacionit gjatë dekadës së fundit, që nga databazat me patronazhistë, patentat, pagat, targat apo të dhënat e nëpunësve të shërbimeve sekrete.
Këto të dhëna konfidenciale dëshmojnë për një penetrim në shkallë të gjerë të elementëve të krimit të organizuar, si edhe largimin në drejtim të paditur të eksponentëve që duhet të japin llogari para ligjit.
Sipas tij, kjo situatë dëshmon një problem serioz në qeverisje.
Në këtë këndvështrim, mendo se duhet durimi i nevojshëm për të pritur përfundimin e hetimeve dhe mbështetja e plotë për SPAK-un dhe agjencitë ligjzbatuese, në mënyrë që të ruhet, aq sa është e mundur, integriteti i sistemit dhe të kuptohet se çfarë ka ndodhur realisht.
Në këndvështrimin tim janë cenuar siguria kombëtare dhe të dhënat konfidenciale që lidhen me biznesin, jetën e njerëzve dhe pronën.
Është krijuar mundësia për korrupsion dhe për krim të organizuar në një nga nyjet më të rëndësishme të qarkullimit të informacionit, duke cenuar atë që Rama dhe qeveria e tij e kanë shitur si ‘krenari të qeverisjes së tyre’.



