
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shkarkuar drejtorin e Shërbimit Sekret - agjencisë që ofron mbrojtje për të dhe zyrtarë të tjerë të lartë të SHBA-së.
Shkarkimi i Randolph Alles erdhi një ditë pasi Trump njoftoi se sekretarja për Sigurinë Kombëtare, Kirstjen Nielsen, do të largohej nga detyra.
Në vend të Alles, detyrën e shefit të Shërbimit Sekret do ta ushtrojë James Murray.
Alles e ka udhëhequr Shërbimin Sekret për dy vjet dhe ka shërbyer në Trupat Detare të SHBA-së për 35 vjet, përpara se të tërhiqej nga ushtria në vitin 2011.
Shërbimi Sekret është përgjegjës për mbrojtjen e presidentit dhe të nënpresidentit të SHBA-së, të ish-presidentëve dhe të krerëve të shteteve që vizitojnë SHBA-në.



