
Sociologu Gëzim Tushi tha përmes një lidhje “Skype” me studion e MCN Live në shoqërinë shqiptare ka një proces imitimi, që do të thotë se sapo vetëvritet një person, ndodh dhe një rast i dytë duke shtuar se rruga nekrofilike është më e gabuara dhe se njeriu duhet të gjejë rrugën e shëndetshme për të zgjidhur problemet që ka.
I ndalur konkretisht tek rasti i vetëvrasjes së Bedrie Lokës, Tushi tha se 41-vjeçarja u gjend në një trekëndësh fatal, atë të goditjes sociale në vendin e punës, mosmbështetjes nga familja dhe mosreagimi nga institucionet shtetërore kur ajo bëri denoncimin para disa muajsh.
E kisha parashikuar, ka një proces imitimi në shoqërinë tonë. Sapo vetëvritet një person, ndodh një rast i dytë. Pas rastit të Durrësit, dje pardje ishte rasti i zonjës tjetër në që humbi jetën në Berat, dhe kjo rrugë nekrofilike mua më duket e gabuar. Vetëvrasja është akt i dënueshëm në çdo rrethanë, nga pikëpamja fetare, pikëpamja humane dhe njerëzore. Njeriu edhe kur ndodhet në situata më të vështira duhet të gjejë rrugët e shëndetshme, jo rrugët nekrofilike, jo të dashurohesh me vdekjen. Jo të zgjedhësh vdekjen si rrugën më të shkurtër për të shpëtuar nga hallet apo problemet që ke.
Analiza e të ndjerës Bedrie Loka është komplekse. Ka disa rrethana. Ajo ka qenë në një trekëndësh fatal, ka pasur goditje sociale nga vendi i punës dhe thashethemet. Shoqëria shqiptare, mbeturinë mesjetare të thashethemeve e ka tejet të ekzagjeruar, merret shumë me jetën e tjetrit, do të dijë që nga jeta sociale deri tek intimitet e seksualitetit, sidomos për femrat. Shoqëria shqiptare ka dy morale, një për femrat dhe një për meshkujt.
Shoqëria shqiptare e godet femrën në anatominë e saj, në seksualitetin e saj.
E dyta ishte familja, nuk e mbështeti familja. Burri i saj sapo erdhi, është e pajustifikuar nxitja për vetëvrasje, por edhe ai i ndodhur në tiraninë e opinionit, erdhi gjeti opinion të përgatitur.
E treta, për shkak të indiferencës së institucioneve shtetërore, zonja ka bërë një denoncim në polici, dhe policia ka bërë një letër dhe ia ka dërguar Prokurorisë dhe me kaq ka larë duart.



