
Socialistët në të gjithë Shqipërinë votuan këtë të shtunë për të zgjedhur delegatët për Kongresin e ardhshëm që pritet të jetë në qershor.
Politologu Ilir Kalemaj thotë se këto procese janë tërësisht simbolike se dihet se kush janë të preferuarit e kryetarit.
I ftuar në studion e lajmeve të MCN Tv, Kalemaj tha se duhet të ishte e kundërta që të zgjidheshin kandidatët më të preferuar të socialistëve në mënyrë që të krijohej dhe fluks mendimi dhe debate brenda partisë që të kontribuonin dhe tek politikat qeverisëse.
Një proces rutinë që e bëjnë të gjithë partitë politike në Shqipëri, flas për këto të mëdhatë se të mesmet dhe të voglat nuk bëjnë zgjedhje të tilla. Hiq 3-4 parti, të tjerat nuk i kemi parë të organizojnë qoftë diçka simbolike. Janë procese tërësisht simbolike sepse dihet se kush janë të preferuarit e kryetarit (jo Kryesisë, apo ndonjë organi tjetër më kolegjial). Këta emra shënohen, shënjohen, instruktohet, shpërndahet fjala. Ka mënyra dhe forma nga më të ndryshmet për ta bërë këtë gjë. Mjafton një me SMS në WP dhe konfirmohet preferenca për të qenë këta që do të zgjedhin Asamblenë Kombëtare dhe më pas Asambleja Kombëtare që do zgjedhë Kryesinë, e kështu poshtë-lart. Janë gjithmonë preferencat që diktojnë kush janë kandidatët, në vend që të ndodhte e kundërta. Në vend që kandidatët që do ishin më të preferuarit e socialistëve që kanë partinë më të rrjetëzuar në territor, me më shumë anëtarësi do të bënte të mundur të kishte dhe ndonjë fluks mendimi brenda kësaj partie dhe ndonjë debat brenda partisë që do të kontribuonte edhe tek politikat qeverisëse.
Më tej, Kalemaj tha se politika tenton ta kufizojë punën e SPAK-ut dhe se sinjalet janë të dukshme.
A tenton politika ta kufizojë punën e SPAK-ut? Po dhe sinjalet janë të dukshme. Nuk është se tenton vetëm njëra palë. Këtu të gjithë tentojnë të kufizojnë drejtësinë në raport me veten e tyre dhe me subjektin e tyre politik. Drejtësia është e mirë dhe funksionon kur godet kundërshtarin politik. Janë ndërhyrjet e vetë këtyre personazheve që na fusin në këtë rreth vicioz.



