Policia e Lezhës ka arrestuar një 57-vjeçar, i dyshuar si autor i zjarrit që përfshiu një sipërfaqe të madhe pyjore në malin e Shëngjinit.
Sipas hetimeve paraprake, shtetasi B. A., banues në Shëngjin, më 3 korrik 2026, në vendin e quajtur "Sagë", pranë subjektit të tij tregtar, ka ndezur zjarr për djegien e disa mbeturinave.
Flakët dyshohet se kanë dalë jashtë kontrollit dhe janë përhapur në zonën pyjore, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Gjatë përhapjes së zjarrit, në terren ka ndodhur edhe një shpërthim, i dyshuar të jetë shkaktuar nga një predhë luftarake e pashpërthyer që shpërtheu si pasojë e temperaturave të larta.
Për pasojë u plagos lehtë shtetasi A. U., 30 vjeç, i cili ndodhej si pasagjer në një automjet që po lëvizte në zonë. Ai mori ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, hetuesit konstatuan se i dyshuari kishte hequr pajisjen DVR të kamerave të sigurisë të subjektit të tij, me dyshimin se synonte të pengonte zbulimin e së vërtetës.
Në përfundim të veprimeve procedurale, 57-vjeçari u arrestua për veprat penale "Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia", "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës", "Shkatërrimi nga pakujdesia me zjarr i pyjeve dhe mjedisit pyjor" dhe "Plagosje e lehtë nga pakujdesia".
Policia e Lezhës u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, duke paralajmëruar se shkelësit do të përballen me ligjin.
Gjithashtu, fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në numrin 112, duke garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm.



