
Gjendet pas rreth 60 orësh nga zhdukja trupi i të riut që mbeti i bllokuar në magazinën në flakë pranë Casa Italia-s.
Mësohet se trupi i 32-vjeçarit Arjan Sala, me detyrë punonjës i shërbimit të sigurisë të një kompanie private u gjet rreth orës 3 të mëngjesit në brendësi të magazinës, pranë një dere të kyçur.
Dyshohet se Sala, i cili ishte përgjegjësi i rojeve të sigurisë në objekt është asfiksuar në tentativë për ta hapur. Aktualisht trupi i pajetë është dërguar në morg për t’iu nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore.
32-vjeçari ishte jashtë kur ra zjarri në magazinën që ndodhet një kat nën tokë, por u fut për të nxjerrë punonjësit e tjerë dhe më pas ndërpreu dhe kontaktet. Kërkimet për 32-vjeçarin vijonin që prej pasdites së 24 marsit.
Ka qënë xhaxhai i të riut ai i cili ka bërë të mundur identifikimin e trupit, e më pas është dërguar në morg për t’iu nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore. Sala kishte djegie të thella në disa pjesë të ndryshme të trupit.
Zjarri nisi pasditen e së mërkurës rreth orës 15:00 një magazinë tek Casa Italia. Sipas dëshmitarëve, Sala ka shpëtuar rreth 20 punonjës të tjerë, e vetë është futur për të shuar zjarrin, por fatkeqësisht nga aty nuk ka mundur që të dalë.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë e rrethanave të ngjarjes.



