
Deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj e ftuar në emisionin “Arnautistan”, në MCN TV foli mbi shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta i cili u votua këtë të mërkurë me 104 vota pro.
Felaj e cila mban postin si kryetare e Komisionit Kuvendor të Sigurisë Kombëtare, u shpreh se qëllimi i shkarkimit ishte standardi që duhet të ketë presidenti i vendit.
Më tej, Felaj e pyetur nga gazetari Mustafa Nano se ku filloi krisja e marrëdhënies mes saj dhe Presidentit, u shpreh se gjithçka filloi nga sjellja gjatë fushatës, duke i vënë theksin ngjarjes së rëndë të ndodhur në Elbasan, si dhe ngjarja e aeroportit “Nënë Tereza”.
“Besoj që ushtruam një detyrim që duhet ta ushtronim. Nuk ishte një qëllim në vetvete, nuk kishte të bënte me zgjedhjen e një presidenti të ri, por me një standard që duhet të ishte në krye të Republikës.
Duke marrë parasysh rezultatin, ka qenë një perceptim i përgjithshëm tashmë. Edhe më herët ne kemi ngritur një komision hetimor, u treguam të kujdesshëm, morëm kontakt me Komisionin e Venecias.
Kjo është e para procedurë që ndiqet deri në fund.
Ka nevojë të tregohemi serioz që njerëz të çartuar të mos ushtrojnë pozicione të tilla.
Unë nuk mund të marr përsipër se ku e mori kryeministri këtë shifër, por po të shohësh mediat sociale ka një mbështetje të gjerë.
Kjo procedurë për Shqipërinë është hera e parë, jo që niset, por që të çohet deri në fund.
Besoj që Komisioni ka bërë një punë serioze. Ishte e nevojshme të kishim një punë serioze dhe mendonim që sapo dolëm nga një punë serioze dhe të merreshim me diçka të tillë e prisnim të vështirë.
E gjithë sjellja e tij, qoftë para, veçanërisht gjatë fushatës zgjedhore nuk mund të rrinte pa bërë asnjë reagim. Një president që bënë deklarata të tilla.
E duam apo jo Ilir Metën ai përfaqëson kryetarin e shtetit, gjëra ai që i komprometoi rënd.
Adresoi thirrje të dhunshme dhe kjo ishte një sjellje e një njeriu të çartuar që u pozicionua politikisht, siç kam thënë nuk është shkëputur kurrë nga partia e tij.
Presidenti ndërhyri gjatë zgjedhjeve, mos të flasim për një ngjarje të rëndë ndodhi në Elbasan dhe ai ndërhyri, dhe sjellja e tij ishte skandaloze. Ngjarja e aeroportit, ai e mbështeti dhe vuri në rrezik sigurinë kombëtare.", u shpreh Felaj.



