Ish-deputetja e PD-së Albana Vokshi akuzoi qeverinë se po përpiqet të marrë nën kontroll Autoritetin e Medieve Audiovizive.
Në një deklaratë për mediet, në selinë e PD-së Vokshi shprehet se “në kohën që Komisioni i Venecias ndodhet në Shqipëri për të mbledhur fakte mbi dy ligjet e censurës mediatike që kërkojnë të vendosin nën diktat edhe mediet online, Rama po kërkon të vërë nën kontroll të plotë edhe institucionin tjetër kyç në zbatimin e ligjeve të censurës, Autoritetin e Mediave Audiovizive. Përmes një procedure korruptive, po emërohen në krye të AMA-s rrogëtarët e zyrës së tij”.
Po ashtu, Vokshi shtoi se “Ligji përcakton si kriter të parë depolitizimin, jopartishmërinë e kandidatëve. Maklen Misha, mercenar i Edi Ramës dhe Erion Veliajt, synon të zërë vendin e lënë bosh nga i ati dhe të marrë drejtimin e AMA-s. Këto kandidime partiake synojnë marrjen e kontrollit të plotë të Autoritetit të Medias Audiovizive, e projektuar si gjykatë politike për ndëshkimin e gazetarëve dhe mbylljen e portaleve”.
“Përsa kohë Edi Rama do të vazhdojë të jetë në drejtimin e vendit, media është në rrezik, të drejtat e qytetarëve janë në rrezik, vendi është në rrezik”, shprehet ajo.



