
Një qytetar kinez me lidhje me organizata të afërta me Partinë Komuniste mori pjesë në darkën e Donald Trump për lançimin e kriptomonedhës së tij, raporton New York Times.
Shtëpia e Bardhë e Trump ka paralajmëruar vazhdimisht për vizitorët e lidhur me Partinë Komuniste Kineze që vijnë në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se ata përbëjnë një kërcënim potencial për sigurinë, por administrata duket se e ka lënë derën hapur për një anëtar të një grupi qeveritar kinez kur ftoi blerësit kryesorë të monedhës dixhitale të Presidentit Trump, duke i dhënë akses te Presidenti dhe Shtëpia e Bardhë.
Trump lançoi kriptomonedhën e tij, të quajtur memecoin, vetëm disa ditë para inaugurimit të tij.
Për të rritur shitjet, bashkëpunëtorët e biznesit të Presidentit organizuan një konkurs në muajin prill, duke u ofruar blerësve kryesorë të monedhës një turne në Shtëpinë e Bardhë dhe një darkë private me Trump në klubin e tij të golfit në Virxhinia.
Sipas dokumenteve të qeverisë kineze të shqyrtuara nga The New York Times, një nga këta blerës ishte He Tianying, anëtar i Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez, një organ këshillimor që synon të zgjerojë ndikimin e Partisë Komuniste dhe të kërkojë mbështetje nga figura me ndikim në shoqërinë kineze.
Ai, i cili u regjistrua për eventin e Trump si banor i Hong Kongut, këshillon qeverinë kineze si delegat nga Fangshan CPPCC, një distrikt në Pekin.
He Tianying është i listuar si anëtar i komitetit të shkencës dhe teknologjisë së organizatës. Gazeta nuk gjeti asnjë tregues se He është anëtar i Partisë Komuniste dhe organi qeveritar në të cilin ai shërben është i nivelit mjaft të ulët.
“Në një kohë kur administrata po kërkon të verifikojë dhe revokojë vizat e studentëve kinezë me lidhje me Partinë Komuniste, incidenti tregon mospërputhje në qasjen e administratës Trump ndaj mënyrës se si i trajton qytetarët kinezë, si dhe dobësi të mundshme në kontrollet e të dhënave të administratës Trump për mysafirët që kanë blerë memecoin-in e saj”, përfundoi Times.



