
Në një letër drejtuar Këshillit Bashkiak të Tiranës nga paraburgimi i Durrësit Erion Veliaj kërkon që buxheti i vitit 2026 të mos miratohet pa konsultim me kryetarin e bashkisë.
Veliaj thotë se në të kundërt do kemi devijim nga standardet e qeverisjes vendore dhe vijim “të gjendjes së rëndë” që pengon mandatin e tij në kryeqytet.
Ndër të tjera në letër thuhet:
“Në këto kushte, miratimi i buxhetit për vitin 2026 pa konsultim me Kryetarin e zgjedhur do të përbënte jo vetëm një devijim nga standardet e qeverisjes vendore, por edhe një vijim i gjendjes së rëndë që pengon realizimin e mandatit tim demokratik, duke cenuar drejtpërdrejt prioritetet qeverisëse të miratuara nga qytetarët e Tiranës.
Për këto arsye, kërkoj zyrtarisht që, përpara shqyrtimit dhe miratimit të projektbuxhetit të vitit 2026:
1. Këshilli Bashkiak të realizojë konsultim institucional me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, në mënyrë që buxheti të reflektojë prioritetet politike dhe programore për të cilat qytetarët më kanë votuar;
2. Të merret në konsideratë se çdo dëgjesë publike e zhvilluar pa pjesëmarrjen ose konfirmimin e Kryetarit të zgjedhur nuk mund të zëvendësojë këtë konsultim, pasi nuk mbart legjitimitet demokratik;
3. Të vlerësohet se miratimi i projektbuxhetit pa u propozuar dhe konfirmuar nga ana ime, në thelb, do të institucionalizonte përjashtimin e Kryetarit të zgjedhur nga ushtrimi i funksioneve të tij kushtetuese”.



