
Kandidatët për kryetar dhe anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) prezantuan platformat e tyre përpara Komisionit të Ligjeve. Procesi zhvillohet në një kohë kur hetimet e SPAK, të bëra publike së fundmi, kanë përfshirë emra të anëtarëve të KPP-së në dosje që lidhen me AKSHI-n dhe me procedura të prokurimit publik.
I ftuar në “MCN Live”, sekretari për të Drejtat e Njeriut në PD, Franc Nuri, u shpreh se procesi i përzgjedhjes së drejtuesve të KPP-së duhet të jetë maksimalisht transparent dhe kandidatët duhet t'i nënshtrohen një procesi të plotë verifikimi.
Transparenca është minimumi që mund të kërkohet. Patjetër që duhet të ketë më shumë transparencë se sa ka pasur deri më sot.
Tenderët publikë, procedurat konkurruese dhe koncesionet kanë qenë prej vitesh një nga burimet kryesore të korrupsionit dhe abuzimeve me fondet publike.
Tenderët, procedurat konkurruese dhe koncesionet, pra çdo gjë që lidhet me administrimin e parave publike, kanë treguar prej vitesh se në Shqipëri kanë probleme shumë të rënda. Aty mund të jetë një pjesë e madhe e korrupsionit dhe e abuzimeve.
Këtë nuk e themi vetëm ne, por edhe raportet ndërkombëtare dhe ato të Bashkimit Evropian.
Nuri e cilësoi Komisionin e Prokurimit Publik si një institucion me rol kyç në garantimin e ligjshmërisë së procedurave të prokurimit dhe kërkoi që anëtarët e tij t'i nënshtrohen një procesi të ngjashëm me vetingun.
KPP ka një rol thelbësor. Transparenca është minimumi, por unë mendoj se kandidatët duhet t'i nënshtrohen edhe një vetingu të mirëfilltë.
Ne ua kemi kërkuar këtë gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Pse të mos ketë një proces filtrimi edhe për ata që vendosin për qindra milionë euro të taksapaguesve shqiptarë?
Duhet të ketë verifikim të pasurisë, llogaridhënie dhe kontroll të integritetit të tyre.
Për të shmangur abuzimet me fondet publike, transparenca duhet të jetë standardi minimal, ndërsa në të ardhmen anëtarët e KPP-së duhet t'i nënshtrohen edhe një procesi vetingu.



