Fondet IPARD vijojnë të mbeten një nga pikëpyetjet më të mëdha për bujqësinë shqiptare në një moment kur sektori ka nevojë më shumë se kurrë për mbështetje financiare.
Konflikti në Lindjen e Mesme ka sjellë rritje të çmimeve të naftës dhe inputeve bujqësore, duke shtuar kostot për fermerët dhe duke e bërë edhe më të domosdoshme rikthimin e skemave të financimit europian.
Të ftuar në emisionin “MCN Economy”, eksperti i zhvillimit rural Fatos Fico dhe profesori Gjok Vuksani analizuan situatën e fondeve IPARD, përgjegjësitë institucionale dhe mundësinë e hapjes së programit IPARD III.
Sipas Fatos Ficos, ka sinjale se programi IPARD III mund të hapet gjatë vjeshtës, por procesi mbetet i ndërlikuar për shkak të problematikave që çuan në bllokimin e fondeve.
Informacionet që kam janë se në vjeshtë mund të hapet IPARD III, por nuk është e lehtë, sepse problemet që kanë dalë nuk janë aq të thjeshta. Problemi me IPARD nuk lidhet vetëm me abuzimet në AZHBR që sollën bllokimin e programit. Fondet europiane kalojnë fillimisht në Ministrinë e Financave dhe më pas AZHBR kryen procedurat teknike të disbursimit. Ministria e Financave duhej të kishte kryer kontrollin për respektimin e standardeve dhe kushteve të Bashkimit Europian, gjë që nuk ka ndodhur. Pra kemi pasur jo vetëm keqmenaxhim, por edhe neglizhencë institucionale.
Ai theksoi se programi IPARD II vijon të mbetet i bllokuar dhe se rikuperimi i fondeve të abuzuara mbetet kusht për rikthimin e normalitetit.
IPARD II vazhdon të jetë i bllokuar dhe shpresa mbetet te hapja e IPARD III. AZHBR, sa kam dijeni, ka nisur procese gjyqësore për rikthimin e fondeve të përfituara në mënyrë të padrejtë. Megjithatë, duket e vështirë që këto para të rikuperohen shpejt. Nëse fondet nuk rikthehen, shteti shqiptar do të duhet të mbajë barrën financiare. Nuk besoj se IPARD III mund të hapet pa u zgjidhur më parë kjo çështje. Bashkimi Europian ka treguar se është shumë strikt në raste të tilla dhe pa rikthimin e normalitetit nuk rifillojnë financimet.
Fico shtoi se rasti tregon probleme serioze në sistemin e kontrollit dhe auditimit.
Fakti që këto mekanizma nuk kanë funksionuar tregon se problemi është sistemik. Ministria e Financave dhe AZHBR duhet të japin llogari për mosfunksionimin e strukturave të kontrollit. Më pas duhet të merren masat e nevojshme dhe të ndiqen procedurat që kërkon Bashkimi Europian.
Nga ana e tij, profesori Gjok Vuksani bëri një ndarje të qartë të përgjegjësive mes institucioneve shqiptare dhe strukturave europiane që menaxhojnë programin.
Duhet të dallojmë dy nivele. Në Shqipëri funksionon Komiteti i Monitorimit të IPARD, ku marrin pjesë Ministria e Bujqësisë, Ministria e Financave dhe institucione të tjera. Ndërsa në Bashkimin Europian, struktura përgjegjëse është Drejtoria e Përgjithshme e Bujqësisë. Sipas informacioneve të fundit që kam, më 30 prill është dorëzuar dosja e akreditimit për IPARD III në Ministrinë e Financave. Megjithatë, nga dorëzimi i dosjes deri te shqyrtimi dhe miratimi përfundimtar duhet kohë.
Ai nënvizoi se sfida kryesore mbetet rikuperimi i rreth 33 milionë eurove që dyshohet se janë abuzuar.
Duhet të ndërtohet një mekanizëm për të rikthyer 33 milionë eurot e abuzuara. Pyetja kryesore është: kush do ta paguajë këtë faturë, taksapaguesit shqiptarë apo ata që kanë përfituar padrejtësisht? Vetëm përmes rrugës gjyqësore mund të rikuperohen këto para. Nga njëra anë fondet duhet të rikthehen, por nga ana tjetër duhet të qartësohet se nga do të sigurohen ato.
Sipas Vuksanit, auditimi dhe kontrolli i fondeve nuk kanë funksionuar siç duhet, duke sjellë pasoja të rënda për fermerët.
Faji qëndron si te mungesa e kontrollit, ashtu edhe te menaxhimi i dobët. Rezultati është katastrofik, pasi prej tre vitesh Shqipëria nuk ka akses në fondet IPARD dhe fermerët shqiptarë nuk po përfitojnë grantet që u takojnë. Mbi të gjitha, më shqetëson fakti që fermeri shqiptar është privuar padrejtësisht nga një mundësi e rëndësishme financimi dhe zhvillimi.



