
Emigranti shqiptar në Qipro, Arben Fetaj, në një lidhje skype me MCN Live ka deklaruar se ka kryer një denoncim te oficerët e policisë së njësisë antitrafik për keqtrajtimin e 14 punëtorëve të huaj përfshirë dhe veten në një fermë blegtorale në Famagusta.
Ai tha se pronari i shfrytëzonte dhe se u mbante pasaportat, ndërsa thekson se rastin e ka denoncuar në polici si dhe në shumë institucione shqiptare nga të cilët nuk ka marrë asnjë reagim.
Isha i njëjti që kam punuar në atë fermë ku shfrytëzoheshin në punë. Kam punuar për rreth 8 muaj dhe pash që ishte jo punë, por shfrytëzim maksimum i njerëzve. Pronari na mbante pasaportën, e kam denoncuar disa herë, por ai kishte dhe lidhje me policinë të cilën fillimisht nuk e merrnin parasysh denoncimin tim, derisa bëra një video live dhe ja dërgova presidentit të sapozgjedhur pastaj më mori policia në telefon ku shkova dhe deklarova gjithçka. Ishte fermë blegtorale vendi i punës, tashmë jam në gjyq me të. Policia i mori në mbrojtje dhe na kanë dhënë mbrojtje shtetërore, mua të parin, më kanë rinovuar nga vizë pune në leje qëndrimi, por ajo që më ka bezdisur kaq shumë ishte mbajtja e pasaportës dhe mos reagimi nga institucionet shqiptare edhe pse i kisha dërguar email ku i bëja të ditur rastin.
Më tej Fetaj shprehet se çështja ka kaluar në dorën e avokatit të popullit, ndërsa theksoi se denoncimin e bëri pasi u ndje i mashtruar nga pronari duke mos i dhënë rrogën e premtuar.
Kontrata e punës është një kontratë e vogël sepse unë kam komunikuar me pronarin dhe në momentin që erdha këtu nuk u pagova sipas atyre që kishim rënë dakord. Kam shkuar dhe e kam denoncuar, por më pas e fshiva denoncimin dhe isha i detyruar të punoja aty sepse më mbante pasaportën dhe nuk më rinovonte lejen e qëndrimit. Tani kam denoncuar emigracionin në zonën ku jetoj për sa kam nxjerr unë në konkluzionet e mia se ky pronar bashkëpunon me këtë polici të emigracionit sepse nuk më merrnin parasysh denoncimin, ndërsa tani çështja ka kaluar në dorën e avokatit të popullit. Denoncim kam bërë edhe për zyrat e emigracionit dhe aktualisht është duke vepruar policia. Ajo që më vjen keq dhe ndjej keqardhje është se s’ka reaguar asnjë konsullatë apo institucion shqiptarë. Nuk kam marrë përgjigje nga konsullata shqiptare.
Në fund ai tha se ndjehet i kërcënuar pasi pronari që ka denoncuar dhe se i ka bërë shantazh përmes një mesazhi, ndërsa shprehet se kërkon dëmshpërblim.
Kërkoj dëmshpërblim, kam paguar për jetesën. Ndjehem i kërcënuar nga ky pronar sepse para disa ditësh më ka dërguar një mesazh shantazhues të cilin e kam denoncuar. Më thoshte se do pendohesha për atë denoncim që kam bërë. Do ndjek rrugën ligjore, dua të dëmshpërblehem për këtë. këtu ka sindikata të të drejtave të njeriut dhe avokati i popullit që na kanë marrë në mbrojtje. Tani jam në pritje të gjyqit. Aktualisht gjithçka është bërë publike, por para një muaj kur kisha nevojë për mbrojtjen e shtetit tim, por asnjë përgjigje nuk më ka ardhur nga pala shqiptare.



