
Shqipëria tejkaloi pritshmërinë e shumës së mbledhur nga Konferenca E Donatorëve. Vlera e 1.15 miliardë eurove e ndarë në 400 milonë grante dhe pjesa tjetër kredi e butë, shihet me skepticizëm nga ekspertët e ekonomisë. Besart Kadia thotë për TvT se më i riskuar në këtë moment është borxhi publik i Shqipërisë.
Besart Kadia, ekspert ekonomie: “Borxhi publik në tërësi ka presione të shtuara gjatë kohës, ka detyrime të papaguara për bizneset, ka pjesën e prapambetjeve të vetë institucioneve shtetërore që nuk ka paguar institucione të tjera, si për shembull KESH-in ose OSHEE-në. Pra, ka probleme në pjesën e ndërmarrjeve shtetërore. Në tërësi, borxhi publik i Shqipërisë, përveçse është i lartë, është dhe zyrtarisht jo transparent, sepse borxhi është më i lartë nga ç’pretendohet. Ky presion i madh, po t’i shtohet pastaj edhe borxhi i marrë për rindërtimin e ekonomisë shqiptare, në rast se nuk kombinohet me reformat ë tjera, të cilat janë serioze dhe për biznes, besoj që do të jetë më tepër barrë për ekonominë shqiptare.”
Eksperti pranon se arritja e kësaj vlere është pozitive, por me shumë pikëpyetje mbrapa.
Besart Kadia, ekspert ekonomie: “Entuziazmi i parë është i mirëkuptueshëm, të gjithë besoj duhet të ndihemi mirë që nuk jemi në njëfarë mënyre në mëshirë të fatit nga institucionet ndërkombëtare, por nuk ka absolutisht akoma edhe sot asnjë gjë konkrete. Shumë prej këtyre projekteve janë të shtrira në kohë të ndrushme. Disa janë 5vjeçare, disa të tjera janë për rindërtim, disa janë pjesë për rindërtimin e institucioneve. Pra nuk është se është vetëm për një gjë të caktuar që do të ketë impact. Dhe është për t’u vërtetuar sërish, dhe shteti shqiptar duhet ta marrë me seriozitetin maksimal, si një oportunalitet, për të vërtetuar se Shqipëria është e hapur për biznes.”
Përdorimi me efikasitet i kësaj shume, sipas Kadiajt, do t’i jepte Shqipërisë një fytyrë tjetër në klimën e biznesit dhe jo vetëm.
Besart Kadia, ekspert ekonomie: “Ku është një oportunitet i mirë për ekonominë shqiptare në njëfarë mënyre. Në rast se qeveria shqiptare tregohet e bindur, serioze dhe profesionale, kjo mund të shndërrohet në një mënyrë për t’iu imponuar më pas gjithë mënyrës së funksionimit të ekonomisë shqiptare. Në rast se kombinohet, pra, nga projekti i rindërtimit , krijohet një lloj afrimiteti me gjithë institucionet financiare, me gjithë donatorët e mundshëm, që të tregohet që shteti shqiptar i çon gjërat përpara, që është serioz dhe nuk ka korrupsion apo probleme për ekonominë, kjo mund të përdoret si një impuls pozitiv. Në kushtet që jemi gjithçka është për t’u vërtetuar.”
Fatura e dëmeve nga tërmeti u përllogarit 985 milionë euro, 30 milionë euro më pak seç u përfitua nga Konferenca e Donatorëve. Një pjesë të ndihmave Shqipëria i ka marrë edhe më ndërtimin direkt të shtëpive, si projekti i qeverisë turke apo edhe fondacioneve të ndryshme në Shqipëri.



