Komuniteti rom dhe egjiptian në qytetin e Elbasanit ndihet i diskrimuar pasi po ndeshen me fenomenin e segregimit, pra të regjistrimit në shkolla të ndara nga pjesa tjetër e shoqërisë. Avokati Gentjan Serjani thotë se në të gjithë vendin janë të paktën 12 shkolla ku ky fenoment është i pranishëm.

Segregimi ka vite që ekziston. Është problematikë, ministria ka informacion që ka shkolla të segreguara dhe që po shkojnë drejt segregimit. Por nuk ka masa konkrete për të parandaluar. Ka shkolla të tilla në Elbasan, Shkodër, Korçë, Berat etj. Sot në Shqipëri mund të jenë 12 shkolla me një përqindje të konsiderueshme të komunitetit rom që janë ose të segreguara totalisht ose drejt pragut të segregimit. Në këto shkolla nuk ka frekuentim të kënaqshëm të nxënësve, pasi prindërit i largojnë fëmijët që aty.

Serjani tha se pasojat e segregimit sjellin pasoja jo vetëm për komunitetin rom.

Fëmijët nuk njohin mirë njëri-tjetrin. Pra nuk kuptojnë të ndryshmin, kulturën e tij. Mungesa e diversitetit nga grupime të ndryshme shoqërore në moshë të madhe do të sjellë hendekun e mosnjohjes së tjetrit. Aty ku ka segregim ka edhe kushte të këqija të mësimit, joefikasitet të mësimdhënies. Në disa shkolla mund të shihen rezultatet për këtë. Në përgjithësi shohim se të gjitha shkollat e segreguara nuk kanë infrastrukturën e duhur. Para disa muajsh ndryshoi ligji për arsimin parauniversitar. Ne kemi rekomanduar regjistrimin strikt sipas juridiksionit.

Lidhur me martesat në moshë minorene, Serjani tha se parandalimi është mënyra më efektive për t’i shmangur.

Ne duhet të merremi me shkaqet dhe jo me pasojën. Çfarë ka bërë shoqëria dhe shteti që kjo vajzë të arsimohet dhe të jetojë si moshataret e veta. Pasoja është një martesë në moshë jo ligjore. Nëse prokuroria e mban me arrest, do t’i hyjë në hak nënës së mitur dhe fëmijës. Babai është i vetmi që sjell të ardhura në familje. Prokuroria duhet të hetojë. Pse ka ndodhur? A ka pasur ndërhyrje nga institucionet për të parandaluar që kjo të mos ndodhte? Rreth 11% e vajzave shqiptare martohen në moshë minorene. Sot është arrestuar një anëtar i komunitetit rom. Por ne nuk duhet të veprojmë vetëm kur vjen pasoja. Ne duhet të ndërhyjmë me politika të mirëfillta dhe duhet të ndërhyjmë në kohë.