Komisioni zgjedhor i shtetit të Xhoxhias miratoi të premten një rregullore të re për numërim me dorë të miliona fletëvotimeve për zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit. Xhoxhia është shteti ku Donald Trump kundërshtoi humbjen e tij në vitin 2020.
Objektivi i rregullores së miratuar me 3 vota pro dhe 2 kundër është që të garantohet një numërim i sigurt, transparent dhe i saktë.
Për shkak të hendekut të vogël (12,000 vota) që e ndau Trump-in katër vjet më parë nga demokrati Joe Biden, republikani, sërish kandidat për Shtëpinë e Bardhë, kishte kërkuar disa rinumërime të votave.
Këtë të premte, ishin votat e republikanëve që lejuan miratimin e kësaj rregulloreje nga komisioni zgjedhor i shtetit të Xhoxhias, i cili kishte bërë tashmë disa ndryshime të konsideruara të favorshme për Donald Trump në rregullat elektorale javët e fundit.



