Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ka bërë bashkë Trupin Diplomatik dhe të gjithë përfaqësuesit e organeve më të larta të drejtësisë në vend, në kuadër të nisjes së vitit të ri për sistemin e Drejtësisë.
Nën prezencën e ambasadores amerikane Yuri Kim dhe ambasadorit të BE-së Luigi Soreca, Gjonaj është ndalur gjerësisht te Reforma në Drejtësi, ku nënvizoi se ajo ishte dhe mbetet pasaporta e hapjes së derës drejt BE-së.
Sipas Gjonajt, realizimi i saj dhe drejtësia e re në veprim, janë prova të vendosmërisë për të qenë me meritë anëtarë të denjë të familjes europiane.
“Ne që jemi këtu në këtë sallë, jemi aktorët kyç për ta mundësuar këtë gjë. Jemi bashkëpërgjegjës për këtë ndryshim historik. Është koha të marrim përgjegjësitë tona për të garantuar suksesin e reformës në drejtësi. Qytetarët e këtij vendi shpresojnë që pritshmëritë e tyre për reformën të realizohen. Është përgjegjësia jonë ta kthejmë shpresën e tyre në besim”, – tha Gjonaj, e cila vlerësoi se numri i të pranishmëve në aktivitet është më i madh se një vit më parë, duke vendosur theksin te ngritja e organeve të reja.
Në fjalën e saj, Gjonaj u ndal edhe te pritshmëritë nga procesi i Vetingut.
“Ne presim që Vetingu përmes një procesi vlerësimi objektiv, të paanshëm dhe me një ritëm shumë më të mirë, të shënojë hapa përpara përgjatë këtij viti, duke eliminuar disa zvarritje çështjesh që mund të krijojnë perceptime të gabuara mbi procesin, duke prioritizuar më mirë subjektet e Vetingut dhe ruajtjen e tij nga çdo lloj ndikimi të paligjshëm në procesin e vendimmarrjes. Presim që institucionet e reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë të dëshmojnë përgjegjshmëri, rol proaktiv dhe transparencë shumë më të mirë në vendimmarrjen e tyre. Opinioni publik mirëpret një qasje të re në ushtrimin proaktiv të përgjegjësive të tyre, për të mbyllur çdo shteg ku gjyqtarë dhe prokurorë të veçantë të mos e shndërrojnë këtë periudhë tranzitore në mundësi korruptimi apo më keq, në përpjekjen e fundit për të cenuar imazhin e reformës dhe shpresën e qytetarëve te drejtësia e re”, – tha Gjonaj.
Ndërkohë, ajo nuk harroi t’i urojë mirëseardhjen edhe ambasadores së re të SHBA-së Yuri Kim, e cila zgjodhi që këtë organizim ta kishte aktivitetin e parë publik.
Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim e pranishme në aktivitetin për reformën në Drejtësi të organizuar nga ministria e Drejtësisë, tha se po punohet që të fitohet besimi i publikut se punët do të bëhen me integritet dhe paanës.
Ajo u shpreh se fryma e Skënderbeut është prezent në Shqipëri, po ashtu mendoj se fryma e Washingtonit është këtu.
“Është e vështirë që të besoj që kam vetëm nëntë ditë në Shqipëri, në këto nëntë ditë kam takuar Presidentit e Republikës, Kryetarin Kuvendit dhe sot në mëngjes Kryeministrin e Shqipërisë dhe shumë ministra të tjerë duke përfshirë ministren Gjonaj.
Kam pasur nderin të takohem me pjesën më të madhe prej jush dhe mund të dukem si një manjetofon i prishur pasi kam thënë të njëjtat gjëra duke ngulmuar se sa e rëndësishme është reforma në drejtësi.
Dua të falenderoj ambasadorin Soreca, jo vetëm për fjalët e ngrohta, por edhe për fjalimin e shkëlqyer për reformën në drejtësi. Ne jemi të gjithë në një krahë.
Për të gjithë ne që ndodhemi në këtë sallë, ndonëse jemi gjerman, amerikan, shqiptar jemi të gjithë shërbyes publik.
Dhe në fakt për mua teksa shikoj këtë sallë me persona në fushën e drejtësisë mendoj për dy personalitet të jashtëzakonshëm. Për Skënderbeun dhe Washington.
Unë besoj se fryma e Skënderbeut është prezent në Shqipëri, po ashtu mendoj se fryma e Washingtonit është këtu.
Edhe besoj plotësisht se si fryma e Skënderbeut dhe Washingtonit janë të gjallë këtu dhe në aty frymë dua që tu them që ta mbani të gjallë", tha ambasadorja amerikane.



