“FactCheck” zbulon marrëveshjen e firmosur 97 vite më parë mes Shqipërisë dhe Britanisë që i hap rrugë ekstradimit të vrasësve të biznesmenit Ardian Nikulaj. Ndër krimet e përfshira në këtë traktat është edhe vrasja dhe atentati siç ka ndodhur më 19 Prill në Shëngjin.
Katër nga gjashtë të dyshuarit për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj më 19 Prill në Shëngjin, po përballen me drejtësinë britanike aty ku Shqipëria kërkon ekstradim.
Në emisionin “FactCheck” gjatë puntatës së 29 prillit, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja tha se do të firmos pa vonesë ekstradimet.
“FactCheck” mëson se tashmë firma e ministrit Manja është hedhur mbi procedurën e ekstradimit dhe kërkesa kanë mbërritur në Britani për Edmond Haxhian, Thomas Mithan, Steven Hant, Harriet Bridgeman.
A mundet ata të ekstradohen për veprën penale të vrasjes për të cilën janë duke hetuar nga Prokuroria e Lezhës?
97 vite më parë Shteti Shqiptarë nëpërmjet zv. Ministrit të Drejtësisë do të firmoste marrëveshjen e ekstradimit me Mbretërinë Britanike. Marrëveshja e cila është edituar më 1957 dhe ratifikuar më pas në vitin 2017 edhe sot është në fuqi.
Do të ishte Hysen bej Vrioni i cili në Korrik të 1926 së bashku me përfaqësuesin e Britanisë në Tiranë firmosën këtë marrëveshje që “FactCheck” zbulon.
Po a e përfshin marrëveshja veprën penale për të cilën dyshohet grupi prej 6 personash drejtuar nga Edmond Haxhia?
“Anët Kontraktuese të Lartë lidhen t’i dorëzojnë njëna-tjetrës në disa raste dhe kondita që përmenden në këtë traktat, ato njerëz të cilët gjendjen brenda në tokën e njenës s’anë dhe të cilët qenë akuzuar ose dënuar mbrenda në juridiksionin e tjetrës s’anë për një prej krimeve ose delikteve të permanun në art 2 të këtij traktati”
E pikërisht në këtë traktat përmenden e para ndër veprat penale ‘vrasja’.
“Ekstradicioni do të akordohet reciprokivisht për krimet ose deliket që vijojnë : Vrasje, ate vrasje, fëmi vrasje, helmosje, ose atentat a konspiracion për vrasje” ndërsa në pikën 2 përfshihet edhe vrasja me Paramendim etiketuar si vrasje për kast.



