
Të krijosh një lidhje në distancë kërkon vërtet shumë sakrificë. Këtë e dëshmojnë Mikela Doçi dhe Zenel Hoxha, të cilët u njohën përmes familjarëve në internet dhe u fejuan brenda tre ditësh.
Për shikuesit e emisionit “Zgjohu me MCN”, ata rrëfyen historinë e tyre magjike, bashkimin në Itali ku jetonte Zeneli, si edhe sfidat që kaluan me lindjen e vajzës së tyre, e cila erdhi në jetë para kohe.
Mikela:
Dashuria nuk shteron kurrë. U fejuam pas tre ditësh, ishte diçka e pazakontë.
Zeneli ishte ‘komshiu më i mirë’ që kisha, jo drejtpërdrejt si komshi, por jam rritur pranë familjes së tij dhe u njohëm përmes tyre, pasi ai jetonte në Itali.Kemi 9 vite diferencë, por kjo s’ka pasur rëndësi, sepse komunikimi e forcon shpejt lidhjen.
Familja e tij erdhi dhe më kërkoi dorën. Kur më tha të shkoja në Itali, pata hezitimet dhe frikërat e mia. Ia shpreha familjes se po e mendonim këtë hap; babai më tha ‘do ta flasim’ dhe më në fund më lejoi, pasi e diskutuam si familje.
Tani kemi 4 vite bashkë. Ndjesia është sikur jam rritur me të. Kur u takuam për herë të parë, më pëlqeu edhe më shumë. Nuk u ktheva më në Shqipëri. U celebruam në Itali, bëmë dokumentet dhe më pas lindi vajza. Ajo erdhi në jetë para kohe dhe kjo na lidhi akoma më shumë.
Vajza lindi 26-javëshe dhe qëndroi 3 muaj në inkubator. Por Zoti është i madh, ja dolëm bashkë. Kisha Zenelin afër dhe, megjithëse nuk dija çfarë të bëja nga frika, e përballuam si ekip.
Zenel:
Filluam të bisedonim në telefon dhe i thashë që po binim në dashuri që në shikim të parë. Më pëlqente thjeshtësia tek ajo.Kishim siklet, normalisht, por biseduam, u hapëm dhe i thashë: ‘Ti je për mua’. Pastaj e bëmë gjithçka familjare.
Fejesën e kryem në distancë. Ishte periudha e Covid-it.
I thashë të vinte në Itali dhe ajo erdhi. Qëndruam katër vite bashkë. Më pas erdhi sfida me vajzën prematurë, por e përballuam sepse ishim bashkë.



