Arben Piroli, banor i fshatit Gjorm në Kurbin, të cilët kanë bllokuar sot rrugën në shenjë proteste për përmbytjet, tha në edicionin e lajmeve në Mcn Tv se nuk është pastruar prej dekadash kanali kullues. Ai theksoi që dëmet janë të mëdha, minimumi 30 milionë lekë për çdo biznes. Banori tha se Bashkia dhe Bordi Kullues ia hedhin përgjegjësinë njëra-tjetrës.
“Situata është shumë kritike pasi kemi pasur një përmbytje jashtëzakonisht të madhe. Dalja e përroit nga shtrati ka bërë namin dhe pritet që në vazhdim të ketë prapë reshje dhe më kritike do jetë situata. S’është pastruar kanali që vjen nga liqeni i Zhejes. S’janë bërë pastrimet e kanalit. Bashkia ia ka lënë Bordit të Kullimit. Kemi bërë protestë dhe s’i jepet dum. Dëme kolosale, 30 milionë lekë minimum për çdo biznes. Ne jemi biznes i vogël, ne hamë një copë bukë, asgjë tjetër. Ky Kanal Kullues s’është pastruar asnjëherë. Kam heq dorë nga Italia për të investuar këtu. Nga 2012 s’është pastruar asnjëherë, por edhe më herët, kam frikë që nga koha e komunizmit s’është pastruar. Bashkia ia ka lënë Bordit Kullues dhe Bordi Kullues bashkisë. Ne na dërrmoi. Jemi me borxhe. Sjellja e protestës ishte normale. Pas protestës kanë filluar të hedhin pak çakull, të bëjnë punime. Mund të jetë politike, të jenë marrë fondet, ose largim përgjegjësie”.



