Kreu i PD-së, Lulzim Basha pas më shumë se 3 orë mbledhje të grupit parlamentar të PD-së, në një dalje për mediat ka folur për diskutimet që janë bërë.
"Më lejoni ta nis me një keqardhje për numrin rekord të fake neës në portale dhe media të ndryshme. Një pjesë e tyre janë dezinformime, një pjesë kanë prapavijë nga Edi Rama. Jam këtu për të zbardhur pa asnjë rezervë mbledhjen e grupit parlamentar, video-konferencën me Daul dhe Hahn. Grupi parlamentar u mblodh sot për një komunikim të drejtpërdrejtë me Daul dhe Hahn. Gjatë kësaj konference u përcoll shqetësimi i madh për krizën politike në Shqipëri. U përcoll angazhimi afatgjatë i Bashkimit Evropian në luftën kundër drogës, çka mund të them se është një lajm i mirëpritur.
E konsideroj një hap cilësor dhe i tillë është pa asnjë dyshim veçanërisht me sfondin e zbehtë të rezolutës së Parlamentit Evropian për drogën.
U rikthye në vëmendje e marta e javës së kaluar për të shmangur çdo keqinformim, të cilat nuk kanë munguar në raport me PPE dhe publikun shqiptar.
Na paraqitën tre propozime; shtyrja e zgjedhjeve me 16 korrik, zëvendësimi i 4 ministrave me drejtues teknik dhe një paketë mikse, si zgjedhja me konsensus të Presidentit, Avokatit të Popullit, etj. Ne pamë në këtë pikë të tretë disa propozime tonat të majit të vitit të kaluar", theksoi Basha.
Po ashtu, kreu demokrat është shprehur se lajmet që janë publikuar në media kanë qenë të pasakta, ku disa prej mungesë së informacionit dhe disa për prapavijë politike.
“Keqardhje për numrin rekord të Fake News që janë prodhuar sot. Prapavijë, investim nga Rama, një pjesë keqinformim. Sot ju kanë ngopur me rrena..”, tha Basha.



