Kreu i grupit socialist Taulant Balla tha se prokuroria dhe gjykata duhet të japin dënimin maksimal për autorin e krimit makabër në Fier, të vrasjes së 8-vjeçarit.
Balla ka qenë së bashku me kryetarin e bashkisë së Fierit pranë familjes dhe tha se do t’i gjenden pranë, por se fjalët për t’i ngushëlluar nuk gjenden.
Ndërsa lidhur me dënimin me vdekje, Balla tha se Shqipëria është anëtare të Këshillit të Europës dhe kushti i parë ka qenë tërheqja nga dënimi me vdekje dhe në këtë këndvështrim ajo që parashikon Kodi Penal është dënimi me burgim të përjetshëm, ky është dënimi maksimal.
Sot nuk gjenden fjalët për të shprehur ngushëllimet ndaj familjes. Është një nga ato ngjarje të rënda, të cilat kanë prekur çdo shqiptar dhe natyrshëm ne që jemi prindër më shumë. Këshilli Bashkiak i Fierit ka miratuar një ndihmë financiare të menjëhershme për familjen. Ne do i gjendemi pranë familjes. Fjalë për të ngushëlluar këtë familje nuk gjen. Në këtë aspekt, jemi po aq të trishtuar sa ata. Do i bëja thirrje prokurorisë, që nuk ka nevojë për të zgjatur shumë hetimet, hetimi është i qartë. I bëj thirrje Gjykatës së Fierit të japë këtë dënimin maksimal. Nuk e qetëson dot shpirtin e familjes, nuk e qetëson dot shpirtin e shoqërisë shqiptare, por është dënimi maksimal që duhet të jepet.
Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Fierit Armando Subashi, tha se nga ana e bashkisë ishin bërë përpjekje për ta integruar në shoqëri autorin e krimit. Klodianit i ishte ofruar një punë, të cilën e kishte lënë pas disa ditësh. Ndërsa dhe vetë familja e të miturit e kishte ndihmuar herë pas herë vrasësin e djalit të tyre.
Personi ishte i vetëm, i ati i kishte vdekur para disa vitesh, e ëma ishte martuar larg. Ne kemi bërë përpjekjet tona për ta integruar, i kemi ofruar një punë para disa kohësh në një nga ndërmarrjet e bashkisë. Ka punuar disa ditë, është larguar me dëshirën e vet. Nga informacionet që kemi është munduar të gjejë punë andej, këndej. Besoj që të gjitha këto mund të kenë ndikuar në jetën e tij të përditshme, megjithëse që dje të gjithë mundohemi të gjejmë një motiv pse mund ta ketë bërë, dhe besoj nuk ka asnjë justifikim. Ngjarje të tilla nuk kanë asnjë justifikim apo arsye. Sa jam në dijeni, nga ana e policisë ka qenë në listën e personave problematikë. Një mendje normale nuk mund ta imagjinonte, aq më tepër që familjarët e djalit mundoheshin herë pas here ta ndihmonin dhe me ushqime dhe t’i bësh këtë gjëmë. Unë nuk kam fjalë. Nuk kemi dijeni për ankesa nga banorët dhe me sa dimë dhe në polici nuk ka pasur.



