Amelia Mcdonell-Parry
Dy ditë më parë, Papa Françesku komentoi për herë të parë atë që Associated Press e pati quajtur skandal "global dhe të përhapur", që në mënyrë të heshtur është pëhapur brenda Kishës Katolike Romane për dekada të tëra - abuzimi seksual i murgeshave nga peshkopët dhe priftërinjtë.
Vitin e kaluar, Vatikani refuzoi të bënte komente mbi një investigim të Associated Press, që zbuloi rrëfimet e murgeshave kundër klerit të Kishës në Evropë, Afrikë, Amerikë Jugore dhe Azi dhe mungesën e mbështetjes nga udhëheqësit lokalë të kishës dhe nga vetë Vatikani. Megjithatë, sipas Washington Post, një artikull i botuar javën e kaluar nga revista femërore e Vatikanit, Women Church World, e denoncoi abuzimin në fjalë si një “shtypje e femrave”, të cilat mbajnë detyra të klasit të dytë brenda hierarkisë së Kishës, duke thënë se asgjë nuk do të të ndryshojë për aq kohë sa Vatikani "vazhdon t'i mbyllë sytë".
"Është e vërtetë ... ka pasur priftërinj dhe madje edhe peshkopë që e kanë bërë këtë", tha Papa Françesku, sipas Reuters, kur e pyetën për artikullin në fjalë. "Unë mendoj se kjo gjë vazhdon ende, sepse ky fenomen nuk ndalet vetëm sepse ne u bëmë të vetëdijshëm për të. ... Nuk mund të them se "kjo nuk ndodh në shtëpinë time". Është e vërtetë. A duhet të bëjmë më shumë? Po. A jemi të gatshëm? Po."
Ndërsa ai pranoi se abuzimi seksual i murgeshave ishte një problem i vazhdueshëm, Papa Françesku pretendonte se viktimat ishin kryesisht të përfshira në "kongregacione të caktuara, kryesisht ato të reja" dhe se Kisha “po merret me këtë gjë”.
"Është një rrugë në të cilën kemi ecur më parë", tha Papa, duke vënë në dukje se disa pjesëtarë të klerit janë pezulluar. Aivlerësoi paraardhësin e tij, Papa Benedikti, për "guximin për të shpërndarë një kongregacion femrash që ishte në një nivel të caktuar ... skllavëri, madje deri në skllavëri seksuale, nga klerikët apo themeluesi".
Alessandro Gisotti i zyrës së shtypit të Vatikanit tha për New York Times se Papa Françesku po i referohej Komunitetit të St Jean në Francë, i cili u shpërnda në vitin 2005. U deshën tetë vjet, që komuniteti i St. Jean të pranonte se disa femra në kuvend ishin trajtuar nga priftërinjtë katolikë "në mënyra që shkonin kundër dëlirësisë".
Sipas redaktores së revistës Women Church World, Lucetta Scaraffia, skandali është "thelluar akoma më shumë nga fakti se abuzimi i grave sjell shtatzëni dhe kjo e bën atë origjinën e aborteve të detyruara", sidomos duke marrë parasysh kundërshtimin e ashpër të Kishës Katolike ndaj abortit - dhe fëmijët që nuk njihen nga priftërinjtë ".
Sipas AP dhe Women World Church, shumë nga viktimat kishin frikë nga hakmarrja nëse ato raportonin abuzimin - edhe pasi Kisha u detyrua të merrte parasysh publikisht skandalin gjithnjë në rritje të priftërinjve agresorë seksualë që ngacmonin seksualisht fëmijët.
"Priftërinjtë dhe akoma më shumë, peshkopët, kanë një fuqi të madhe, jo vetëm mbi një murgeshë të vetme por mbi një kongregacion të tërë", thotë Scaraffia në AP. "Pra, nëse një murgeshë e abuzuar shkon te superiori i saj dhe thotë se ajo është keqtrajtuar, asaj do t’i thuhet 'Hesht sepse nëse nuk e bën, peshkopi do të na kthehet kundër".
Murgeshat që tashmë kanë nisur të flasin për abuzimet, sipas Scaraffia-s, janë fuqizuar nga një lëvizje e nxitur nga fushata #MeToo, e cila është gjallëruar edhe brenda kishës. / Rolling Stone /



