
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nis sot turin e saj në Ballkanin Perëndimor, ndërsa është zbuluar agjenda e vizitës që do ta çojë atë në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut.
Tirana do të jetë ndalesa e parë e presidentes së Komisionit.
Në kuadër të vizitës së saj në Shqipëri, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të pritet nga Kryeministri Edi Rama.
Pas takimit, Presidentja von der Leyen dhe Kryeministri Rama do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Për akreditimin, ju lutemi të dërgoni emrat e gazetarëve dhe fotografëve që do të marrin pjesë në konferencë.
Agjenda:
16:30–Mbërritja në Kryeministri e Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
17:30–18:00 – Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Në qendër të diskutimeve gjatë turit do të jenë hapat e ardhshëm që vendet e rajonit duhet të ndërmarrin në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe procesi i integrimit gradual, i mbështetur edhe përmes Planit të Rritjes prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, von der Leyen do të vizitojë gjithashtu shkollën “Emin Duraku”, të rindërtuar me financim të BE-së pas dëmtimeve të shkaktuara nga tërmeti i vitit 2019.
Të enjten, presidentja e Komisionit do të udhëtojë drejt Prishtinës, ku do të takohet me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, dhe Kryeministrin Albin Kurti.



