
Dy persona rezultojnë të zhdukur dhe mijëra të tjerë të evakuuar në Italinë Verilindore si pasojë e përmbytjeve masive që kanë përfshirë vendin.
Ndër zonat më problematike rezulton ajo e Emilia Romagna në të cilën autoritetet aktivizuan alarmin e kuq.
Sipas përfaqësuesve të pushtetit lokal puna po vijon intesivisht për t’ju ardhur në ndihmë banorëve të prekur të cilët po përballen me zgjerimin e hartës së përmbytjeve.
Uji ka përmbytur pjesën më të madhe të Lugos lindore dhe jugore dhe fatkeqësisht edhe një pjesë të qendrës. Ne po mbledhim vazhdimisht informacione për situatën në terren teksa ekipet tona vijojnë punën në zonat më kritike të rajonit.
Ndërkohë për autoritetet mjaft kritike situata paraqitet edhe në provincën e Ravenës, Bolonjës dhe Faenzas ku shumë lumenj kanë dalë nga shtretërit duke përmbytur katet e para të banesave.
Si pasojë shkollat në këto zona u mbyllën si dhe u pezulluan një sërë shërbimesh hekurudhore teksa banorët u këshilluan që të shmangin udhëtimet e panevojshme.
Përveç Italisë mjaft problematike situata paraqitet edhe në Republikën Ceke ku numri i viktimave si pasojë e përmbytjeve ka arritur në pesë persona. Përveç grupeve të kërkim shpëtimit në terren zbarkuan edhe forcat e ushtrisë dhe ato zjarrfikëse me qëllim ardhjen në ndihmë banorëve.
Ndërkohë për shpërndarjen e ndihmave autoritetet aktivizuan disa helikopterë.
Një tjetër shtet i gjunjëzuar nga stuhia Boris është edhe Polonia e cila një ditë më parë u vizitua nga presidentja e komisionit Europian Ursula Von Der Layen nga ku premtoi 10 miliardë euro ndihmë për të gjitha shtetet e prekura të Evropës Qendrore.



