BE vë me shpatulla pas murit Viktor Orban/ PPE mes përpjekjes për ta mbrojtur dhe rrezikut të përçarjes (VIDEO)

BE vë me shpatulla pas murit Viktor Orban/ PPE mes përpjekjes për ta mbrojtur dhe rrezikut të përçarjes (VIDEO)

Do të jetë njësoj sikur një elefant të hyjë në një dyqan qelqurinash. Kryeministri hungarez, Viktor Orban, do të jetë pasditen e sotme në Strasburg dhe kaq mjafton për të kuptuar se cili është elefanti i kësaj metafore. Qelqurinat janë Partitë Popullore Europiane (PPE), një grupim që rrezikon të “thyhet”, ndërsa mbeten pak kohë për “mbledhjen e copave”, me zgjedhjet europiane që po afrojnë.   

Nga njëra anë qëndron Orban që nuk pranon dialog me partitë sovrane e nga ana tjetër janë ata që nuk duan të ngatërrohen me ata që kërcënojnë Bashkimin Europian.

“Mjaft më me këtë gjueti shtrigash. Nuk duam të bëhemi urë mes elitës së Brukselit dhe njerëzve”, tha dje zëdhënësi i Orbanit, Zoltan Kovacs, duke theksuar se Fidesz nuk ka ndërmend të largohet nga PPE.

Të mërkurën, Parlamenti Europian  do të votojë një rezolutë që kërkon riaktivizimin e nenit 7 të Traktatit, kundër Hungarisë (sot kjo rezolutë do të diskutohet në sallën e PE). Ky mund të konsiderohet një “akt lufte”, pasi futet në lojë vetëm në raste ekstreme, kur ka një “rrezik të qartë të shkeljes së vlerave të Unionit nga një vend anëtar”. Që prej krijimit të këtij të fundit, kjo pikë e dekretit është aktivizuar vetëm njëherë ndaj Polonisë (është kundërshtuar nga Hungaria) dhe vijon të mbetet në fuqi. Sanksioni kryesor për shtetin ndaj të cilit ndërmerret kjo masë është humbja e të drejtës së votës në Këshillin e Europës (pavarësisht se për të arritur deri në këtë pikë duhet vota unanime e të gjitha shteteve anëtare dhe dihet “aleanca” Hungari-Poloni që i garantojnë njëra-tjetrës imunitet reciprok).

Debati bazohet në raportin e eurodeputetes holandeze Judith Sargentini, e cila ka ngritur shqetësime në lidhje me Hungarinë në disa fronte njëkohësisht: që nga funksionimi i kushtetutës dhe pavarësia e gjyqësorit, te liria e shprehjes dhe të drejtat themelore të emigrantëve dhe refugjatëve. Por për ta çuar deri në fund këtë betejë, nuk mjafton vetëm një maxhorancë e thjeshtë, por duhen 2/3 e votave.  Duket si një sipërmarrje mjaft e vështirë, duke pasur parasysh se grupi i parë i PPE-ve në Strasburg do të jetë vendimtar në rezultatin e votimit. Dhe krerët më të lartë të PPE-së duan ta shpëtojnë Orbanin.

Vetë kreu i grupit parlamentar të PPE, Manfred Weber, i cili është kandidat për presidencën e Komisionit, nuk dëshiron t’i prishë marrëdhëniet me Orban, sidomos në prag të kandidaturës së tij.

Por pakënaqësia brenda grupit - veçanërisht në mesin e anëtarëve të vendeve nordike - është e tillë që Weber nuk mund t’u kërkojë deputetëve të PPE të votojnë kundër raportit të Sargentinit. Për këtë arsye, sipas të gjitha gjasave, ai do të respektojë lirinë e votimit ose mund të kërkojë abstenim. Vendimi do të merret vetëm këtë mbrëmje. Ndër ato që nuk do t’i dalin kundër Orbanit është Forza Italia e Berlusconi-t, kanë bërë të ditur burime parlamentare për mediat italiane.

Weber i ka kërkuar Orbanit të “bëjë një hap për t’u afruar drejt partnerëve europianë”, që do të thotë të bëjë ndonjë lëshim. Orban mund të bëjë një përpjekje, edhe pse sjellja e deritanishme e tij ka qenë më shumë një sfidë e hapur. Ai i është përgjigjur raportit të Sargentinit me një dokument prej mbi njëqind faqesh, me anë të të cilit përpiqet të hedhë poshtë një nga një akuzat që janë ngritur kundër tij, duke pretenduar p.sh. se në vendin e tij "nuk ka censurë për internetin ose kufizim të lirisë së medias" dhe se ligji për OJQ-të " nuk e ndalon financimin e tyre".

Qeveria austriake, e cila mban presidencën e radhës në BE, nuk do të jetë e pranishme në debatin me Orban, një vendim që ka ngjallur kritika. Austria udhëhiqet nga një shumicë e formuar nga partia e Sebastian Kurz dhe partia e djathtë FPO. Tani për tani, ai është një nga aleatët më të mirë të Orbanit. / Përgatiti: Gazmira Sokoli / 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy