
Të jesh një sirenë e vërtetë, jo vetëm në përralla, është një sfidë më vete, aq më tepër kur je e para që e ushtron këtë profesion në Shqipëri.
Këtë rrugëtim të pazakontë e ka ndjekur Enxhi Kadiu, një financiere, e cila gjatë verës kthehet në një ‘sirenë’.
E ftuar në emisionin “Zgjohu me MCN”, Enxhi tregoi pse vendosi të bëhej sirena e parë shqiptare e certifikuar dhe si e ktheu këtë pasion në profesion.
Vitin e kaluar fillova trajnimet, më pas këtë vit vendosa ta praktikoj si profesion, fillimisht në Shqipëri, sepse jashtë vendit është diçka që funksionon prej kohësh.
E nisa me një fotosesion për një reklamë resorti dhe pastaj performova në pishina, duke notuar me fëmijët.
Për fëmijët është më e lehtë të pranojnë “magjinë” e një sirene. Më thërrasin Ariel, janë të entuziazmuar. Të rriturit në fillim janë skeptikë, më të rezervuar, por kur e shohin performancën, e kuptojnë se është art. Nuk është vetëm argëtim, është një lloj baleti nën ujë, një formë aktrimi dhe kërkon shumë përkushtim.
Enxhi nuk e braktis profesionin si financiere, por gjatë verës investon kohë dhe energji për të ndërtuar këtë identitet të dytë.
Ajo jep shembull se edhe në Shqipëri mund të krijosh diçka ndryshe, duke bashkuar artin, dashurinë për detin dhe ëndrrat e fëmijërisë në një performancë që frymëzon.
Ditën jam në punën time, ndërsa pasdite dhe në fundjavë, jam në pishina ose resorte, ku performoj për një orë si sirenë.
Por të bëhesh sirenë, nuk është as romantike, as e lirë. Pas profesionit ka një investim të madh.
Kostumi profesional kushton shumë, vetëm bishti prej silikoni ka kushtuar 1300 dollarë. Është i rëndë dhe kërkon trajnim për të notuar me të.
Kam bërë tetë seanca trajnimi dhe një vit përgatitje. Mbaj frymën për rreth një minutë gjatë performancës dhe është e lodhshme. Nëse të zë ngërçi, nuk ka kush të të ngrejë nga fundi i pishinës, kështu që gjithçka duhet të jetë e kontrolluar.
Sfidat nuk kanë munguar. Komentet për pamjen, peshën apo zgjedhjen e pazakontë nuk kanë qenë gjithmonë pozitive.
Në fillim komentet më prekën. Kishin lidhje me trupin tim apo idenë se çfarë është një ‘sirenë’.
Por pastaj, thjesht nisa të qesh dhe vazhdova. Fëmijët më dhanë forcën. Ata më bënë të kuptoj se po realizoja një ëndërr, jo vetëm timen, por edhe të tyre.



