Detaje të reja kanë dalë në lidhje me dosjen hetimore të SPAK për koncesionin e sterilizimit.
Në vendimin prej 348 faqesh që e ka siguruar MCN tv, të firmosur nga gjyqtari Erjon Bami që pranoi kërkesën e SPAK për dërgimin e në arrest të Ilir Rrapajt dhe ish-zëvendësministrin e MSH, Klodian Rjepaj, në lidhje me sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale prokurorët kanë marrë në shqyrtim dhe shpenzimet e bëra në 18 spitale.
Në këtë dokument hetimor, rezulton se dezinfektimin e serviseve kirurgjikale ka diferenca të mëdha.
Kështu çmimin më të lartë që ka marrë kompania e drejtuar nga Ilir Rrapaj e ka QSUT me rreth 8230 lekë për ndërhyrje, e më tej Durrësi me 5297 lekë.
Spitali më i lirë për sterilizimin e pajisjeve është Korça me një çmim që rezulton vetëm 315 lekë për çdo operacion. Por në këtë tabelë të analizuar prej prokurorëve duket qartë diferenca nga një qytet në tjetrin.
Por edhe në maternitetet në Tiranë është sërish i njëjti fenomen. Kështu në një prej tyre vlera për set është 1706 lekë e në tjetrin arrin në 4673 lekë.
Sipas prokurorëve kjo tregon se nuk ka pasur një analizë të qartë të punës në paraqitjen e dosjes për koncesionin.
Në një pjesë të dosjes, poashtu vihet në pah edhe kërkesa e Kabinetit të ish-ministrit Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, për vënien në dispozicion të Vilës Qeveritare nr.31, për datën 10.12.2014 për shtrimin e një darjke punë të Ministrit për të ftuarit në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit me Universitetin e Peruxhias në Itali, në lidhje me mundësinë e ofrimit të shërbimit të sterilizimit të instrumenteve mjekësore për sallat e operacionit.
Lidhur me koncesionin e sterilizimit krahas 8 të akuzuarve, SPAK ka në verifikim edhe 6 ish zyrtarë të tjerë për akuzat e shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të dokumenteve dhe mashtrimit me pasoja të rënda.



