Italia shënon një tjetër rekord të të vdekurve nga koronavirusi. Pas disa ditësh ulje progresive, numri i viktimave u rrit sërish, duke arritur në 969 brenda 24 orëve të fundit.
Ky është numri më i madh i vdekjeve brenda një dite që nga fillimi i epidemisë. Në total, deri tani janë 9134 të vdekur. Pjesa më e madhe e viktimave janë në rajonin e Lombardisë, 541.
Deri tani, nga radhët e bluzave të bardha kanë humbur jetën 46 mjekë.
Në Lombardi, Bergamo mbetet provinca më e prekur nga Covid-19. Në 24 orët e fundit janë shtuar 602 raste të reja, ndërsa në Milano janë 547.
Në krahasim me një ditë më parë, në të gjithë Italinë ka 589 të shëruar më shumë. Megjithatë, edhe kjo shifër ka shënuar ulje në krahasim me të enjten, kur ishin 999 të shëruar.
Në total, në Itali janë gjithsej 66 414 të sëmurë nga koronavirusi, 4401 më shumë se dje.
Italia ia ka kaluar Kinës edhe për numrin e të prekurve nga Covid-19.
Në vend është autorizuar përdorimi i ilaçeve kundër malarjes dhe AIDS-it. Ndërkohë, rëndimi i situatës e bën më të qartë parashikimin për rihapjen e shkollave: është e pamundur të rinisë procesi mësimor në 3 prill, siç ishte vendosur.



