
Shkarkohet kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro.
Qendro është shkarkuar nga ministrja e re e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Në postin e tij është emëruar Sonila Qato, e cila ka mbajtur më parë detyrën e ministres për Sipërmarrjen.
Shkarkimi i Qendros vjen pak ditë pasi ai u mor në pyetje në lidhje me skandalin e kompanisë DH Albania.
Ditën e djeshme, në lidhje me të njëjtin skandal, edhe administratori i OST-së , Klodian Gradeci, dha dorëheqjen.
Po dje, ministrja Balluku njoftoi edhe anulimin e koncesionit të rrugës Kashar-Thumanë.
“Gener 2” është shpallur në korrik 2017 fituese e garës për këtë aks. Sipas një investigimi të “Zërit të Amerikës”, kompania në fjalë ka lidhje me kompaninë “DH Albania”, e cila përmes falsifikimit të dokumenteve të regjistrimit dhe favorizimit nga institucionet ka arritur të sigurojë dy kontrata me vlerë prej rreth 30 milionë eurosh nga qeveria shqiptare.



