Skenografia televizive bëhet me vesh!
Kështu tha skenografi Bashkim Zahaj në emisionin “Bilardo në MCN” të gazetarit Denis Dyrnjaja.

Sipas Zahajt problemi është se skenografia e televizionit nuk bëhet me shkollë dhe se çdo gjëje i është rënë shkurt.
Zahaj tha se çdo gjë sot bëhet me dy lede, madje edhe opera bëhet me një të tillë, gjë e cila është një skandal i madh.
Problemi është që tani skenografia televizive bëhet me vesh, në kuptimin që e kemi dëgjuar kur them i bie veglës me vesh. Pra edhe skenografia e televizionit nuk bëhet me shkollë. Skenografia e televizionit kudo në botë, edhe sot që flasim vazhdon të jetë krijimtari e mirëfilltë. Nëse ju jeni artistë dhe keni një nivel intelektual atëherë ju duhet të krijoni. Që të krijoni do të thotë që vizatimi juaj nuk është parë diku tjetër, e keni shpikur ju, e keni krijuar ju. Kur sjell një skenografi, e shoh dhe them sa interesante ku i ka shkuar mendja. Ndërsa kur ti më sjell dy lede, bën koncert me lede i bie violinës me një ekran led, bën opera me led që është një skandal, injoranca më e madhe. Çfarë është ledi? Ledi është një fotografi që është përdorur që kur ka lindur skenografia. Nuk u përdor ledi se nuk ishte shpikur, nuk u përdor fotografia se nuk ishte shpikur, por u përdor pikturimi. Atëherë ai bëri një qiell me re. Qiellin me re e zëvendësoi fotografia e qiellit me re, sot e zëvendëson ledi. Ka ngelur po ajo. Është plani i fundit. Nuk po themi për një studion lajmesh, që është informacion është lajmi i fundit që të duhet një ekran i madh për të nxjerrë informacione. Absolutisht nuk është kjo, edhe në botë. Shohim San Remon dhe themi kështu është skenografia italiane. Nuk është e vërtetë, nuk është e tillë. Skenografia italiane është e mirëfilltë, ka skenografë të jashtëzakonshëm, janë me tituj, kanë marrë Oscar. Por duke parë gjithmonë një skenograf, të njëjtin emër, vit për vit mos kujtoni se atje nuk luajnë interesat ekonomike.
Edhe skenografia shqiptare vuan nga ky problem. I kanë rënë shkurt.



