
Krijimi i një protokolli të përhershëm dhe të qëndrueshëm për komunikimin ndërmjet institucioneve dhe ekipit të Kosovës në dialog, do të ishte veprim i mirë, ka thënë të martën, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Siç ka theksuar Haradinaj, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, vetëm një herë në vit i adresohet Kuvendit të Kosovës dhe Kushtetuta e vendit nuk e parasheh që ai të raportojë më shumë në Kuvend, përveç se në raste të jashtëzakonshme.
Megjithatë, sipas tij, duhet gjetur një formulë që komunikimi ndërinstitucional për procesin e dialogut të ekzistojë.
“Ndoshta do të ishte mirë që t’i raportojë Kuvendit. Pra, sipas bindjes sime, e rëndësishme është përfshirja e Kuvendit në procesin e dialogut. Ne, Qeveria, komunikojmë me Presidencën dhe me presidentin, por është shumë me rëndësi që partitë parlamentare edhe ato të opozitës, por edhe të komuniteteve ta kenë një instrument komunikimi dhe ta dinë të vërtetën për dialogun”, theksoi Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj ka shtuar se është shumë e rëndësishme që Kuvendi i Kosovës të jetë drejtpërdrejtë i përfshirë në procesin e dialogut me Serbinë.



