Ambiciet politike të Liz Truss pësuan një fund poshtërues pasi ajo humbi vendin e saj në parlament, në zgjedhjet e mbajtura në Britaninë e Madhe.
Rezultati vjen në një natë makthi për konservatorët, të cilët po përballen me rezultatin e tyre më të keq në histori.
Ish-kryeministrja po mbronte vendin e saj në Norfolkun jugperëndimor, të cilin e mori në vitin 2019 me një shumicë të madhe prej 26.950 votash.

Por ajo u mund nga kandidati laburist me 630 vota. Truss siguroi 11.217 vota, pas kandidatit laburist Terry Jeremy, i cili mori 11.847 vota.
Duke marrë postin e kryeministres nga Boris Johnson, Truss, 48 vjeçe, u detyrua të njoftojë dorëheqjen e saj pas vetëm 44 ditësh, kur shkurtimet e taksave i çuan tregjet financiare në trazira, duke rritur koston e hipotekave për pronarët e pasurive të paluajtshme.
Megjithatë, ajo mbeti një zë me ndikim në mesin e deputetëve të partisë.
Dhjetë ministra të kabinetit nga qeveria Sunak kanë humbur tashmë vendet e tyre në një natë katastrofike për konservatorët, përfshirë ministrin e Mbrojtjes në largim Grant Shapps dhe atë të Arsimit Gillian Keegan.



