
Më shumë se 300 000 fëmijë sirianë, që duhet të fillojnë vitin e ri shkollor brenda disa ditësh, rrezikojnë të mbeten pa shkollë në rajonin veriperëndimor të Idlib për shkak të konfliktit të vazhdueshëm midis milicive lokale, të mbështetura pjesërisht nga Turqia dhe forcat qeveritare të mbështetura nga Rusia.
Njoftimin e bën “Save The Children”, një organizatë ndërkombëtare që vepron në Siri përmes partnerëve të shumtë vendas.
“Me fillimin e vitit të ri shkollor vetëm 300 000 nga 650 000 fëmijë të moshës shkollore do të jenë në gjendje të gjejnë një vend në shkolla që ende funksionojnë. Nga 1193 shkolla në zonë, vetëm 635 vazhdojnë të funksionojnë, ndërsa 353 janë braktisur ose dëmtuar dhe 205 janë përdorur si strehimore kolektive”, njofton “Save The Children”. /Ansa/



