
Pas protestave masive të “jelekëve të vedhë”, që e ulën në mënyrë drastike popullaritetin e presidentit francez Emmanuel Macron, ky i fundit po planifikon një lëvizje strategjike. Një referendum që parshikohet të mbahet më 26 maj pritet t’u shtrojë francezëve për shqyrtim disa pyetje që kanë të bëjnë me qeverisjen e tyre. Lajmin e bën të ditur francezja “Journal di Dimanche”, e cila u referohet disa burimeve pranë presidentit. Referendumi i 26 majit përkon me zgjedhjet europiane dhe pritet të përmbajë pyetje që kanë të bëjnë me disa çështje të karakterit ekonomik dhe social. Sipas “Journal di Dimanche”, francezët do të pyeten edhe në lidhje me reduktimin e numrit të ligjvënësve apo mundësinë e shkurtimit të mandateve të tyre.
Protestat disajavore që nisën për shkak të një takse mbi karburantin e dëmtuan popullaritetin e Macron-it, ndërsa pakënaqësia u shtua me kalimin e javëve të para edhe për shkak të mënyrës sesi ai e menaxhoi këtë situatë.
Megjithëse lideri 40-vjeçar i Francës ka arritur të rikuperojë paksa mbështetjen pasi u tërhoq nga rritja e taksës së karburantit dhe lançoi të ashtuquajturin debat kombëtar mbi ankesat që nxitën lëvizjen e “Jelekëve të verdhë”, mbështetja për Macron ka rënë nga 47 për qind në vetëm 27.7 për qind gjatë 12 muajve të fundit.
Presidenti që 'dëgjon'
Sipas burimeve të JDD, Macron ka marrë në konsideratë katër opsione të ndryshme që ai shpreson se jo vetëm do të shuajnë lëvizjen e “Jelekëve të Verdhë”, që për të 12-n javë radhazi protestuan të dielën në Paris, por gjithashtu të bindë francezët se ai nuk është injoranti apo snobi i klasës së pasur, siç është akuzuar shpesh. Qëllimi i tij është që ta portretizojë veten si presidenti që i dëgjon francezët.
JDD shkruan se opsionet që janë hedhur në tryezë përfshijnë mundësinë e qeverisë së udhëhequr nga Macron ose një marrëveshje me lëvizjet bazë dhe sindikatat e vendit (një veprim i ngjashëm me atë që i dha fund protestave të studentëve të vitit 1968, çoi në një 35 për qind rritje në pagat minimale dhe një rritje prej 10 për qind në pagat mesatare reale), duke shpërndarë Dhomën e Ulët të Parlamentit, duke njoftuar një riorganizim të qeverisë, ose duke nisur një referendum mbi çështjet që me të vërtetë kanë të bëjnë me francezët.
"Kriza e “Jelekëve të Verdhë” pothuajse na vrau. Një referendum është një moment shumë i fortë për qytetarët dhe do të rivendosë në lëvizje makinerinë dhe do të na lejojë të kthehemi politikisht aty ku ishim për të vazhduar reformat tona ", citohet një person i afërt me presidentin.
Koha e referendumit të mundshëm, i cili do të mbahet në të njëjtën ditë me zgjedhjet e Parlamentit Europian 2019, është gjithashtu pjesë e strategjisë së Macron-it në kuptimin që do të tërheqë më shumë francezë në votime.
Nëse referendumi rezulton një opsion konkret, Macron ka të ngjarë ta shpallë atë në fund të debatit të madh kombëtar tremujor, prej të cilit pritet një konkluzion më 23 mars.



