Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Gjovalin Kadeli, është i bindur në rikonfirmimin e një madati të dytë qeverisës krah PS-së. Kadeli e kundërshoi idenë e një koalicioni me Partinë Demokratike, për të cilën tha se nuk është e gatshme për të qeverisur.
“Nuk mund të humben zgjedhjet nga PD por do të fitohen nga e majta. Jam i bindur se kjo mazhorancë është në sensin e duhur. Përpara se të ndryshojnë marrëveshjet mes PS dhe LSI, të dyja subjektet politike kanë gjëra më të rëndësishme për të bërë në këtë situatë parazgjedhore. LSI është në fushatë zgjedhore, më datë 6 mbledh Konventën për të zgjedhë organet drejtuese të partisë. Pasi të mbarojnë zgjedhjet mund të ketë nevojë për ripërcaktim të strategjisë politike për të ardhmen, por kjo nuk nënkupton prishjen e koalicionit me PS”, tha Kadeli.
“Opozita nuk është në rolin dhe vendin e duhur për të qenë e gatshme për të marrë drejtimin e këtij vendi. Është për të ardhur keq që opozita vrapon pas kërmave, fatkeqësive natyrore në shprehje të një solidariteti fals dhe premtimi fals për kërkesën për të marrë qeverinë dhe pastaj për të ndryshuar gjërat. Unë jam dëshmitar i një praktike të tillë dhe ne kemi qenë në Shkodër në përmbytjet para shumë viteve me premtime të mëdha që akoma s’i kemi realizuar dot për shkak se buxheti është i vogël. Kjo praktikë e të bërit opozitë duhet të ndryshojë. Duhet kuptuar që me marrjen e një mandati qeverisës duhet lënë që ai mandat të ushtrohet, të mos i bëhen pengesa duke u bërë dhe gazi i botës përballë partnerëve ndërkombëtarë”, tha ai.



