
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti i ka bërë thirrje publike kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama të hap disa qendra vaksinimi për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Haliti ka thënë se pas gjendjes së rëndë që po kalon Kosova me COVID-19, ky veprim do të ishte i mirëpritur dhe i domosdoshëm.
“Thirrje publike kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Vëlla i dashur Edi, kryeministër i Shqipërisë, marrë parasysh gjendjen e rëndë në Kosovë me pandeminë COVID-19, dhe në anën tjetër, neglizhencën e institucioneve të vendit për të siguruar vaksinën, të bëjë thirrje që të hapni disa qendra vaksinimi për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ky veprim do të ishte i mirëpritur dhe i domosdoshëm në këtë kohë të ligë. Prandaj, vepro sa më shpejt si me rastin e punëtorëve shëndetësorë të Kosovës, për të shpëtuar jetë njerëzish”, është shprehur Haliti.
Ai ka bërë të ditur se do të vaksinohet me cilëndo vaksinë të cilët po marrin qytetarët e Shqipërisë.
“Unë dua të vaksinohem me cilëndo vaksinë që janë duke u vaksionuar bashkekombasit e mi në Shqipëri. E, si unë janë shumë në Kosovë. Kryeministër na ndihmo të lutem që ta kalojmë edhe këtë sfidë që e ka goditur njerëzimin”, ka shkruar Haliti në Facebook.
Shqipëria ka pritur më heret edhe profesionistë shëndetësorë nga Kosova për të marrë vaksinën anticovid.



