Merkel “qetëson” aleatin, arrihet marrëveshja që mban në këmbë qeverinë gjermane (VIDEO)

Merkel “qetëson” aleatin, arrihet marrëveshja që mban në këmbë qeverinë gjermane (VIDEO)

Kriza politike në Gjermani duket se është shmangur, pasi koalicioni qeverisës arriti një marrëveshje të qëndrueshme mbi emigracionin e paligjshëm, sipas ministrit të Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, i cili ka rënë dakord të mos japë dorëheqjen.

"Pas diskutimeve intensive midis CDU dhe CSU kemi arritur një marrëveshje mbi mënyrën se si në të ardhmen mund të parandalojmë emigracionin e paligjshëm në kufirin midis Gjermanisë dhe Austrisë", u tha ai gazetarëve në orët e vona të së hënës, ndërsa linte selinë qendrore të CDU-së në Berlin.

Seehofer, i cili është gjithashtu kryetar i partisë së Bashkimit të Krishterë Kristian (CSU) të Gjermanisë në Bavari, tha se do të vazhdojë të shërbejë si ministër i Brendshëm, pasi dy partitë konservatore arritën një marrëveshje të qartë mbi mënyrën se si do të trajtohen emigrantët.

Marrëveshja vjen vetëm një ditë pasi në media u raportua se Seehofer, i cili kërcënoi të përdorte fuqinë e tij për të larguar emigrantët në kufirin gjerman, do të jepte dorëheqjen.

Merkel ka konfirmuar gjithashtu se është arritur një kompromis i mirë me kryetaren e partisë së saj, Annegret Kramp-Karrenbauer. Merkel u shpreh se marrëveshja do të parandalojë emigrantët e regjistruar diku tjetër që të hyjnë në Gjermani. Kancelarja gjermane tha gjithashtu se do të krijohen qendra tranziti në Gjermani që do të kthejnë emigrantët në vendet evropiane nga të cilat ata vijnë.

Përveç qendrave të tranzitit, do të ketë një regjim të ri kufitar në kufirin Gjermani-Austri për të parandaluar hyrjen e azilkërkuesve, procedurat e azilit të të cilëve janë përgjegjësi e vendeve të tjera të BE-së.

"Jam i kënaqur që kjo marrëveshje u arrit, është bërë edhe një herë e qartë se vlen të bashkëpunohet për një zgjidhje dhe ajo që vijon tani është një marrëveshje shumë e qëndrueshme dhe e qartë për të ardhmen, marrëveshja i plotëson pritshmëritë e mia në të tri pikat”, tha Seehofer pas pajtimit me marrëveshjen.

Arritja e marrëveshjes dhe qetësimi i Seehoferit i garanton Merkelit qëndrimin në pushtet. Nëse Seehofer do të kishte dhënë dorëheqjen, Merkel do të humbte shumicën parlamentare dhe do të mbaheshin zgjedhje të reja.

Pak ditë më parë, Seehofer u shpreh i pakënaqur me marrëveshjen nga samiti dhe nguli këmbë në qëndrimin e tij se emigrantët duhej të ktheheshin në kufi. Ai tha se biseda me Merkelin mbi këtë temë kishte qenë “pa efekt”.

"Në interes të këtij vendi dhe kapacitetit të kësaj qeverie, të cilën duam të mbajmë, ne duam të bëjmë një përpjekje për të gjetur një marrëveshje mbi këtë çështje qendrore për kthimin e njerëzve në kufirin gjerman", tha ai të hënën. "Çdo gjë tjetër do të vendoset më pas", shtoi ai.

Marrëveshja me të cilën Seehofer u shpreh i pakënaqur ishte tepër e paqartë dhe, pavarësisht se Merkel pretendonte se për të kishte marrë "pëlqimin politik" nga 14 vende të BE-së, tre vende: Hungaria, Polonia dhe Republika Çeke - thanë se kurrë nuk kishin rënë dakord për një marrëveshje të tillë.

Marrëveshja e dalë nga samiti i së dielës nuk u bë e ditur në detaje konkrete, por në media u raportua se anëtarët e Bashkimit Evropian do të krijonin "qendra kontrolli" për "përpunim të shpejtë" të kërkesave për azil, kjo në baza krejtësisht vullnetare. Marrëveshja parashikon që lufta kundër tarfikantëve të qenieve njerëzore duhet të rritet, Evropa duhet të vazhdojë të zgjerojë bashkëpunimin me Turqinë dhe Afrikën kur është fjala për migracionin si edhe duhet të forcohet Agjencia Evropiane e Kufirit dhe Agjencia e Mbrojtjes së Bregdetit, FRONTEX. / Përgatiti: Gazmira Sokoli / 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy