
Shiu i rrëmbyer dhe pa pushim i ditëve të fundit në Australi, ka shkaktuar panik dhe frikë te banorët, kryesisht në Uellsin e ri Jugor, të cilët kanë braktisur banesat e tyre, tashmë nën ujë.
Mbi 18 mijë banorë, të prekur nga kjo përmbytje katastrofale, dhe ndër më të rrezikshmet të dekadave të fundit janë evakuuar dhe dhjetëra të tjerë janë shpëtuar teksa shiu i pamëshirshëm është munduar të marrë çdo gjë me vete.
Kryeqyteti australian, Sidnej është një ndër qytetet më të prekura nga përmbytjet e ditëve të fundit, ku reshjet e dendura sollën mbi 300 milimetra shi prej së premtes.
Meteorologu Justin Robinson tha se kjo "është ngjarja më e rëndë që ka parë në 20 vjet". Autoritetet të dielën e klasifikuan situatën në pjesë të Uellsit të Ri Jugor si një "katastrofë natyrore".

Kryeministri Scott Morrison i shpjegoi Parlamentit se urdhrat e evakuimit janë aktualisht në fuqi për 28 zona me 16 zona shtesë të vendosura në gatishmëri.
"Për fat të keq, pjesa e bregdetit po përjeton një situatë që shihet vetëm një herë në 100 vjet", tha Kryeministri i Uellsit të Ri Jugor Gladys Berejiklian në një konferencë shtypi.
Moti i keq, sipas parashikimeve, pritet të vazhdojë deri në fund të javës tjetër.




