Sot në Kosovë përkujtohet 21-vjetori i masakrës së Reçakut. Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, bëri homazhe tek varrezat e dëshmorëve dhe deklaroi se është obligim i institucioneve vendore që të gjithë ata që urdhëruan dhe kryen këtë masakër të dënohen.
"Lajmi për Masakrën e Reçakut e tronditi dhe tmerroi Kosovën por e ndërgjegjësoi dhe alarmoi botën demokratike dhe diplomacinë ndërkombëtare. Masakra e Reçakut ishte vendimtare që NATO ta bombardonte Jugosllavinë e Millosheviçit....21 vite më vonë nuk ka drejtësi për viktimat dhe familjet dhe kjo drejtësi e mohuar paraqet krim të vazhdueshëm ndaj njerëzve tanë, popullit tanë, ndaj shtetit tonë. Është obligim i institucioneve vendore dhe i partnerëve tanë ndërkombëtarë që të sjellim drejtësi, të shtojmë trysni mbi Serbinë ashtu që të gjithë kriminelët që ekzekutuan dhe ata që urdhëruan masakrën e Reçakut të nxirren para proceseve gjyqësore dhe të dënohen", tha Kurti.
Masakra e Reçakut ishte momenti që shënoi kthesën e madhe në luftën e Kosovës. Më 15 janar 1999, në Reçak u vranë e u masakruan nga forcat paramilitare serbe barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur. Pasi kjo masakër u pasqyrua në të gjitha mediat e botës, fuqitë e mëdha ndërkombëtare vendosën për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.



