
Seanca e sotme e Parlamentit ka nisur me debate mes deputetëve të opozitës dhe maxhorancës. Pasi u përballën me kontrollin e sigurisë së Parlamentit para hyrjes në sallë, deputetët e opozitës e cilësuan këtë një fyerje. Deputeti demokrat, Edi Paloka, tha se deputetët u trajtuan si terroristë.
“Zoti kryetar, sot kur deputetët e opozitës hynë në sallën e Parlamentit, u kontrolluan sikur po kalonim në zonën...Ne jemi deputetë, nuk jemi as terroristë, as hajdutë, as kriminelë. Nëse ka nga ata, i ke aty lart. Nëse ka frikë ai lideri juaj global, nuk mund ta trajtoni deputetin si rreckë. Ai ta ketë të qartë se sado kontroll të bëjë, aty këpucë kemi të gjithë”, tha Paloka.
Kjo shkaktoi tension në sallë, gjë që u reflektua edhe në foltore. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, dhe më pas edhe kreu i grupit parlamentar demokrat, Edmond Spaho, bllokuan për disa minuta foltoren. Këmbëngulja e tyre për të folur për çështje jashtë rendit të ditës e detyroi kryeparlamentarin Ruçi të merrte masën e përjashtimit të Spahos nga seanca e sotme.
Por kjo nuk i dha fund tensionit. Seanca u ndërpre dhe rifilloi disa herë, ndërsa opozita mbajti të bllokuar foltoren. Deputetët e opozitës nuk pranuan të marrin fjalën, ndërsa ata të maxhorancës u detyruan të flasin nga vendi. Zhurma në sallë për shkak të goditjes së tavolinave nga deputetët e PD-së dhe LSI-së dhe thirrjet "Hajdut, kriminel" në adresë të kryeministrit Rama e bënë të vështirë vijimin e seancës.
Pas fjalimeve nga vendi të disa deputetëve të maxhorancës, kryeparlamentari Ruçi vendosi ndërprerjen e seancës për rreth 20 minuta. Gjatë kësaj kohe, pritet të mblidhet grupi parlamentar i PS-së, për të diskutuar në lidhje me miratimin e projektligjeve të parashikuara në rendin e ditës.
Pas rifillimit të seancës është hedhur për votim lista e kandidatëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Gjyqësorit.
Ndërsa deputetët e opozitës vijonin me thirrjet “Hajdutë, kriminelë”, maxhoranca votoi me 74 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim projektligjin që i hap rrugës ndërtimit të aeroportit të Vlorës.
Ndërsa lista me kandidatët si për KLP-në dhe KLGJ është rrëzuar, pasi maxhoranca nuk kishte votat e mjaftueshme, 94 vota.



